Publikohen pamjet nga momenti i përplasjes me armë në Sarandë, në orët e para të mëngjesit të së dielës ku mbeti i plagosur biznesmeni Spiro Iljadhi.
Në videon e publikuar nga “Gazeta Panorama” dëgjohen disa persona të cilët bërtasin dhe qëllojnë me breshëri arme ndaj biznesmenit.
Madje njëri prej tyre dëgjohet duke thënë: “Bjeri mo, mos e lër”.
E gjithë ngjarja ndodhi para lokalit të Iljadhit “Orange Bar”. Ai mori plagë në trup dhe u nis me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Plumbat kapën edhe një kalimtar të rastit, i identifikuar si Mario Jani, 33 vjeç, shqiptaro-amerikan.
Pamjet nga atentati tregojnë se edhe biznesmeni Iljadhi është kundërpërgjigjur me armë. Ai u arrestua dje pasdite nga Policia pasi gjatë konfliktit ka qëlluar me armë zjarri.
Lidhur me ngjarjen e rëndë, është vënë në pranga Redjan Haderi nga Tepelena, ndërsa janë shpallur në kërkim dy vëllezërit Andrea Caushi dhe Visi Caushi.