Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pezulluar prokurorin e Sarandës, Sali Hasa. Anëtarët e KLP-së votuan njëzëri për pezullimin e tij pas arrestimit të Hasës pak ditë më parë.
Ai akuzohet për korrupsion për marrjen e një shume parash për të pushuar akuzën e plagosjes ndaj një personi.
Emri i prokurorit doli pas përgjimeve ndaj një grupi trafikantësh, ku përveç tij dolën edhe emrat Napolon Hodajt, oficeri i policisë gjyqësore, një trajneri futbolli në Përmet dhe një eksperti mjeko-ligjor.
Njoftimi
“KLP vendosi me votë unanime pezullimin nga detyra të prokurorit Sali Hasa, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Sarandë, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” dhënë me vendimin nr.40, datë 17.06.2021 dhe nr.44, datë 21.06.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pezullimi zgjat deri në rënien e shkakut për të cilin është vendosur ky pezullim. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Gjykatën Administrative të Apelit.”