Vendosni fjalën kyçe....

Nga reklamat, te pijet e televizorët, shpenzimet e shqiptarëve për Kampionatin Europian të Futbollit


Futbolli nuk është vetëm futboll, por pa diskutim edhe para.

Shqipëria nuk është pjesë e Kampionatit Europian të Futbollit si konkurrent, megjithatë kjo nuk e përjashton vendin tonë nga lista e shteteve që gjatë këtij muaji kanë përfitime të shumta. Sipërmarrësit e konsiderojnë si një ngjarje që do t’i japë një tjetër ritëm fillimit të sezonit veror.

Euro 2020 u parashikua si një kompeticion i shtrirë në 11 qytete pritëse (në vend të një shteti pritës), me sloganin ‘Building Bridges’ (Ndërtimi i urave), i zhvilluar nje vit më vonë për shkak të pandemisë së koronavirusit.

E drejta e transmetimit

Elton Kadisi, drejtori i marketingut pranë RTSH, thotë për “Monitor” se natyra e fushatës së marketingut që do të shoqërojë këtë transmetim televiziv do të jenë kontrata sponsorizimi, reklamime, highlight – pra shitja e së drejtës së përmbledhjeve për televizionet e tjera në lajme apo në programe.

Ndërsa ‘publicview’ pra e drejta e transmetimit në vende publike që organizohen posaçërisht për eventin, ku zhvillohet aktivitet komercial, lëshohet nga Digitalb.

Z.Kadisi thotë se këtë vit, UEFA ka shitur dy paketa, përkatësisht RTSH që është për transmetime falas dhe një platformë me pagesë, Digitalb.

Z.Kadisi tha se vitet e fundit, çmimet e të drejtave televizive në fushën e sportit janë rritur shumë. Gjithashtu shton se interesi për reklama ka qenë i lartë nga shumë kompani këtë vit, një kompeticion ky që u shty nga viti i kaluar dhe që mezi pritej nga sportdashësit.

Sa i përket sponsorëve kryesore të transmetimit të ndeshjeve nga RTSH, z. Kadisi tha se janë dy kompani birre, Heineken dhe Peja, gjithashtu UNION BANK, Megatek dhe Vodafone.

Teknologjia, rriten shitjet e televizorëve

Drini Dushku, drejtuesi i marketingut të “Neptun” thonë se shitjet e televizorëve gjatë muajit qershor u rritën dhe porositë kanë nisur që një muaj më parë.

“Kemi një rritje në numër porosish për TV dhe pajisje mbështetëse me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kërkesat janë më tepër për ekrane të mëdhenj mbi 42-polësh, teknologjitë e reja si OLED, QLED, gjithashtu kërkohen shumë edhe Smart TV, që japin mundësinë e përdorimit të shumë aplikacioneve në televizor nëpërmjet internetit.”- pohon z. Dushku.

Sikurse kompeticionet e mëparshme, ata pohojnë sërish të njëjtin trend, që kampionatet e futbollit ndikojnë në kërkesat për televizorë, sidomos lokalet që investojnë duke i zëvendësuar me më të mëdhenj, më të rinj në teknologji etj.

Aktivitetet

“Tirana Fan Zone” në sheshin “Skënderbej” dhe Pedonalja e Tiranës janë dy hapësirat më të kërkuara të sportdashësve për të ndjekur ndeshjet sportive. Teksa tubimet tashmë janë lejuar pas ndalesave të mëparshme të pandemisë, këto dy hapësira, sikurse edhe ambiente lokalesh në Tiranë, kanë kërkesa të larta për frekuentim. Tifozët e futbollit, krahas ndjekjes së ndeshjeve, padyshim janë konsumatorë të pijeve e ushqimeve në ambiente të tilla komerciale. Shqiptarët vijojnë t’i mbeten besnikë birrës për raste të tilla.

Kompanitë importuese apo prodhuese të birrave në Shqipëri, tregojnë se kjo ngjarje është ndër më shpresëdhënëset sa u përket përfitimeve që mund të arrijnë.

Sipas tyre, tre janë kanalet e shpërndarjes: lokalet, që pritet të shtojnë dyfish porositë e tyre, një pjesë e madhe e tyre kanë vendosur një ambient dedikuar birrës.

I dyti, supermarketet dhe marketet e shumicës kudo në Shqipëri, që janë kryesisht të lidhur me kërkesat e individëve dhe konsumin në familje. I treti janë ambientet e jashtme të organizuar për këtë event, që premtojnë në mënyrë të pashmangshme konsum të lartë.

Në Tirana Fan Zone, një tavolinë prej 5 veta, me konsum mesatar 2 birra për person gjatë ndjekjes së 90 minutave ndeshje, ka një fature prej 5 mijë lekësh, bashkangjitur edhe konsumin e produkteve ushqimore si qofte etj.

Ndërsa në Pedonalen e Tiranës, e njëjta tavolinë prej 5 personash, kanë mesatarisht një fature prej 3500 lekësh, me birra dhe dhe konsum të produkteve si patatina apo kikirikë. Megjithatë, konsumi është individual. Në varësi të konsumit edhe të pijeve të tjera, shpenzimet mund të jenë edhe më larta. I njëjti trend raportohet edhe në ambiente të tjera komerciale në kryeqytet.

Shifra

Euro 2020 do të mbahet mend në historinë e futbollit si një ngjarje historike, ndoshta duke përfaqësuar një pikë kthese në luftën kundër pandemisë në Europë. Në Euro 2020, çdo ekip do të marrë një shpërblim për pjesëmarrjen prej 9.25 milionë eurosh, me bonuse të tjera në varësi të ecurisë, kurse ekipi që do të ngrejë trofeun, do të fitojë 34 milionë euro.

Të drejtat televizive parashikojnë që ARD dhe ZDF do të transmetojnë thuajse gjithë ndeshjet drejtpërdrejt në Gjermani, në një marrëveshje 150 milionë euro, që mbulon edhe platformat në internet dhe rrjetet sociale. BBC dhe ITV në Mbretërinë e Bashkuar, do të paguajnë 140 milionë sterlina. Lista e 12 sponsorëve kryesorë Alipay, Booking.com, Coca-Cola, FedEx, Heineken, Hisense, Qatar Airways, SOCAR, Takeaway.com, Tik Tok, Vivo e Volkswagen – paraqet vetëm dy marka që janë të pranishme që nga 2016 – Hisense dhe Coca-Cola.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *