Vendosni fjalën kyçe....

Publikohen pamjet e plota të vrasjes së Klodian Rashës, si u qëllua pas shpine nga polici (VIDEO)


Kanë kaluar mbi 6 muaj që nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha në Tiranë dhe mbrëmjen e kaluar, emisioni Uniko i gazetarit Spartak Koka ka publikuar pamjet e plota nga ngjarja e rëndë.

Këto janë pamjet bruto të kamerave të sigurisë që kanë filmuar vrasjen e 25-vjeçarit nga efektivi i policië i forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj. Ato tregojnë se si i riu u qëllua pas shpinë nga efektivi i policisë.

Si ndodhi ngjarja?

Sikurse tregojnë dhe pamjet e kamerave të sigurisë, ishin orët e para të mëngjesit të datës 8 Dhjetor 2020, kur efektivët Erion Gjore dhe Nevaldo Hajdaraj po patrullonin nga Zogu i Zi në drejtim të sheshit “Shqiponja”.

Ata vunë re në trotuar  25-vjeçarin Klodian Rasha, të cilin tentuan ta ndalonin. I pari ishte efektivi Erion Gjore, i cili ndoqi me vrap Rashën. Gjatë ndjekjes në këmbë, punonjësi i policisë Erion Gjore nxorri pistoletën nga brezi dhe e mbante në dorë.

Nga ana tjetër e rrugës është shfaqur efektivi Nevaldo Hajdaraj. Në orën 02:02 minuta e 30 sekonda ai kapërcen bordurën ndarëse të rrugës “Dritan Hoxha” dhe kalon në korsinë tjetër. Në këtë moment shfaqet përbri Klodian Rashës. Në pamje duket qartazi veprimi që kryen. Në orën 02:02 minuta e 45 sekonda është fiksuar momenti kur në dorë mban pistoletën e shërbimit dhe ia drejton Klodian Rashës. Ky i fundit nuk kishte në duar asnjë send e aq më pak një pistoletë sikurse ishte pretenduar. Këtë konkluzion e deklaron edhe Prokuroria.

5 sekonda më vonë, punonjësi i policisë kapërcen gardhin. Pasi polici Nevaldo Hajdaraj iu afrua në një distancë të afërt, Klodian Rasha nis të vrapojë. Në tentativë për të kapur nga rrobat 25-vjeçarin, efektivi Nevaldo Hajdaraj rrëzohet në trotuar, ekzaktësisht në orën 02:02 minuta e 55 sekonda.

Klodian Rasha vazhdon vrapin me shpinë nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj. Ky është dhe momenti kur Nevaldo Hajdaraj ngre dorën në lartësinë e trupit të 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe e qëllon me pistoletën e shërbimit. Dy plumba janë shkrepur nga arma e efektivit Hajdaraj njëri prej të cilëve ka kapur në shpinë Klodian Rashën.

Në orën 02:02 minuta e 58 sekonda, Klodian Rasha futet në rrugicën pranë shtëpisë së tij, që sot kjo rrugë mban emrin e të riut.

Plumbi e ka prekur në pjesën e shpinës. Ai ulet në tokë në pamundësi për të lëvizuar. Kurse polici Nevaldo Hajdaraj ngrihet dhe shkon në drejtim të 25-vjeçarit Rasha. Nxiton dhe armën e shërbimit e vendos në brez. Në rrugicë gjen Klodian Rashën të plagosur.

Në orën 02:03 minuta e 14 sekonda në krye të rrugës shfaqet efektivi tjetër Erion Gjore. Ai thërritet nga kolegu Nevaldo Hajdaraj për çfarë ka ndodhur dhe nis të shpejtojë hapat për të shkuar drejt tyre.

Veprimet e efektivit Hajdaraj tregojnë qartazi momente tensione tek ai pasi ka kuptuar se çfarë ka bërë. Klodian Rasha ishte shtrirë në tokë dhe këto janë edhe sekondat e fundit para se të ndërrojë jetë në vendngjarje.

Polici Hajdaraj i mat herë pas here pulsin Klodian Rashës.

Në orën 02:03 minuta e 47 sekonda, te rrugica mbërrin edhe efektivi Erion Gjore. Të dy kontrollojnë nëse i riu ka ende shenja jete.

Mesa duket i kërkon llogari kolegut Nevaldo Hajdaraj përse qëlloi me armë ndaj 25-vjeçarit Rasha. Aty pranë është shfaqur edhe një person tjetër, një kalimtar i rastit që është marrë si dëshmitar në këtë ngjarje. Dy kolegët Nevaldo Hajdaraj dhe Erion Gjore bëjnë ecejake sa në drejtim të rrugës, e pastaj rikthehen te trupi i 25-vjeçarit. Të tensionuar për atë që ka ndodhur nga veprimet e tyre, presin me ankth mbërritjen e ambulancës dhe të shërbimeve të tjera policore.

Në intervalin kohor 02:04 minuta e 7 sekonda deri në orën 02:04 minuta e 49 sekonda, Klodian Rasha ngre kokën për herë të fundit pak sekonda para se të japë shpirt.

Në orën 02:04 minuta e 48 sekonda mbërrin me shpejtësi një automjet policie.

Gati 1 minutë më vonë në vendngjarje shkojnë edhe makina e motora të tjerë të patrullave policore.

8 punonjës policie po qëndrojnë pranë trupit të Klodian Rashës. Vazhdimisht i masin pulsin për të kontrolluar nëse i riu është ende në jetë. Ndërsa efektivi që e qëlloi, Nevaldo Hajdaraj, nuk lejohet nga kolegët që të afrohet dhe i kërkohet të mbajë distancë.

Nga momenti në moment pritet mbërritja e ambulancës për t’i dhënë ndihmën mjekësore Klodian Rashës.

Pranë trupit të 25-vjeçarit qëndron vetëm një punonjës policie, me detyrë përgjegjës, i cili duket në pamje që kontrollon të riun me gjasë në kërkim të ndonjë sendi të kundraligjshëm…. Por nuk gjen asnjë objekt.

6 minuta pasi është qëlluar Klodian Rasha, në orën 02:09 minuta mbërrin dhe ambulanca. Veprimet e stafit mjekësor kanë qenë të shpejta në përpjekje për t’i dhënë ndihmën e parë Klodianit. Por fatkeqësisht për të riun që u qëllua me plumb pas shpine nga polici Nevaldo Hajdaraj nuk kishte shpresë.

Ambulanca u nis drejt Spitalit të Traumës në orën 02:10 minuta e 40 sekonda. Klodian Rasha kishte mbërritur i pajetë në spital. Plumbi prapa shpine i kishte shkaktuar vdekjen.  


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *