Holanda ka ndryshuar regjimin e lëvizjes për qytetarët shqiptarë.
Bazuar në nivelin e riskut shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht për qëllime turistike drejt Holandës pa pasur nevojë për tampon apo edhe vaksinë.
Njoftimin e ka bërë ambasada shqiptare në Hagë.
Njoftimi i plotë:
Ambasada e RSH në Hagë njofton se regjimi i lëvizjeve për shtetasit shqiptarë drejt Holandës do të ndryshojë, duke filluar që prej ditës së nesërme, 24 qershor 2021. Bazuar në vlerësimin e qeverisë holandeze mbi nivelin e ulët të infektimeve të Shqipërisë, Holanda vendos të lejojë përsëri lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj që prej datës 24 qershor e në vijim. Që prej ditës së nesërme, do të lejohet lëvizja e lirë për të gjithë shtetasit shqiptarë, jo vetëm për rezidentët shqiptarë në BE, apo për arsye specifike.
Shtetasit shqiptarë mund të udhëtojnë lirisht drejt Holandës edhe për qëllime turistike; Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët të cilët udhëtojnë nga RSH në Holandë, pasi konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh. Udhëzojmë në çdo rast udhëtarët që të kontaktojnë gjithnjë me kompanitë ajrorë që operojnë fluturimet e tyre, pasi këto kompani, në cilësinë e subjekteve private, mund të kërkojnë plotësimin e formularëve të veçantë apo kritere shtesë për pasagjerët në momentin e udhëtimit.