Ambasadori i SHBA-së në Rusi, John Sullivan, do të kthehet në Moskë këtë javë, duke ndjekur planet për rikthimin e ambasadorëve të dy vendeve pas takimit Biden-Putin në Gjenevë në 14 qershor.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u tregoi gazetarëve kronologjinë e kthimit të Sullivan në Moskë në një konferencë shtypi të hënën. Administrata e Ppesidentit Joe Biden gjithashtu mirëpriti kthimin e ambasadorit rus Anatoly Antonov, tha Price.
Antonov arriti përsëri në Uashington të dielën, duke thënë se ai pret me optimizëm bashkëpunim me zyrtarët e SHBA-së në ndërtimin e një ‘marrëdhënieje dypalëshe të barabartë e pragmatike’.
Ambasadori u thirr përsëri në Moskë në mes të marsit, pasi ABC Neës publikoi një intervistë në të cilën Biden pohoi se homologu i tij rus Putini shte ‘vrasës’ dhe gjithashtu paralajmëroi se Kremlini do të paguante për ndërhyrjen e tij të pretenduar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA. Diçka që Moska e mohon me forcë.
Sullivan la postin e tij në Moskë në prill. Ai ka qenë ambasador në Rusi që nga fundi i vitit 2019, kur Donald Trump ishte ende president.