Kreu i KLSH-së, Arben Shehu ka raportuar në seancën e sotme plenare mbi punën e institucionit që ai drejton gjatë vitit 2020.
Gjatë fjalës së tij, Shehu tha se edhe pse ka qenë një vit i vështirë për shkak të pandemisë, KLSH ka 143 auditime.
Ai u shpreh se janë vlerësuar 91 subjekte përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci apo bashki.
Shehu theksoi se gjatë vitit të kaluar, KLSH ka konstatuar një dëmi ekonomik prej 17.7 milionë eurosh të shkaktuar nga institucionet.
“Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e institucionit më të lartë të auditimit të jashtëm publik, për vitin 2020 kishte planifikuar gjithsej 143 auditime, ku kanë përfshirë vlerësimin e aktivitetit në 91 subjekte.
Ato kanë përfshirë, institucione qendrore, ministri dhe agjenci (përfshirë drejtori qendrore dhe rajonale në varësi të tyre), njësi të vetëqeverisjes vendore (qarqe, bashki), drejtori të përgjithshme të administrimit fiskal, etj.
Nga këto 14 auditime në institucionet e qeverisjes qendrore, 18 në institucione të vetëqeverisjes vendore dhe njësi të tjera në nivel vendor, 10 autidime në institucione të tjera financiare etj. Rezultatet e punës audituese të vitit 2020 kanë pasur objektiv edhe identifikimin e shkeljeve dhe raportimin e tyre në bazë të klasifikimit si dëm ekonomik dhe si parregullsi/paligjshmëri me efekte negative në financat publike nga subjekteve nën auditim ku parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale 2,193,692 mijë lekë ose 17.7 milionë euro.”- tha Shehu.