Hungaria “nuk ka më punë në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Holandës, Mark Rutte, teksa kritikoi Qeverinë e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, për miratimin e një ligji të ri kundër komunitetit homoseksual.
Ligji – të cilin Parlamenti hungarez e miratoi më 15 qershor – ndalon diskutimet dhe shpërndarjen në shkolla të informacioneve, që mendohet se promovojnë homoseksualitetin dhe ndërrimin e gjinisë.
Ligji, më saktësisht, u ndalon fëmijëve dhe të rinjve librat, filmat dhe përmbajtjet që flasin për seksualitet tjetër, përveç heteroseksualitetit.
“Për mua, Hungaria nuk ka më punë në BE”, tha Rutte, duke arritur në një samit të udhëheqësve të BE-së në Bruksel.
“Por, unë nuk jam i vetmi që e vendos këtë: ka edhe 26 të tjerë [vendet e BE-së]. Kjo duhet të bëhet hap pas hapi”, tha Rutte.
Orban u tha gazetarëve në Bruksel se ligji është keqkuptuar.
“Ai nuk është kundër homoseksualitetit. Bëhet fjalë për të drejtat e fëmijëve dhe prindërve”, tha Orban.