Një prift është arrestuar në Athinë pasi ai hodhi acid mbi shtatë peshkopë të Kishës Ortodokse Greke.
Policia tha se sulmi ndodhi të mërkurën pasdite gjatë një seance disiplinore kundër priftit 36-vjeçar. Tre peshkopë janë duke u trajtuar në spital për djegiet që kanë pësuar, kryesisht në fytyrë.
Një polic, i cili vrapoi për t’i ndihmuar ata, u dërgua gjithashtu në spital.
I dyshuari, është një prift i cili rrezikoi të dëbohej nga kisha, pasi ishte akuzuar tre vite më parë si i përfshirë në trafikun e drogës.
Peshkopët po takoheshin për të diskutuar për ta hequr atë nga priftëria – pasi ai u kap nga policia me 1.8 gram kokainë në qershor 2018.
Ministri i Shëndetësisë Vassilis Kikilias i vizitoi viktimat në spital dhe tha se njëri prej tyre do të transferohej për operacione plastike.
Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou e dënoi sulmin, ndërsa Kryeministri Kyriakos Mitsotakis foli me kreun e Kishës Greke, Kryepeshkopin e Athinës Ieronymos II.
Mitsotakis tha se ai ishte “thellësisht i trishtuar” dhe siguroi peshkopin se “shteti do të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme mjekësore për shërimin e shpejtë të viktimave”.