Vendosni fjalën kyçe....

Rihapet tenderi për Tunelin e Llogorasë, 153 milionë euro për 3 vjet, por buxheti nuk i ka të gjitha paratë


Rihapet tenderi për ndërtimin e Tunelit të Llogorasë.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar dokumentet standarde të tenderit për procedurën e hapur të punëve publike për tunelin e Llogorasë. Fondi limit është 18.9 miliardë lekë (pa TVSH), ose rreth 153 milionë euro dhe ndërtimi duhet të përfundojnë për 37 muaj pas nënshkrimit të kontratës.

Afati i fundit për shprehjen e interesit për pjesëmarrje është 28 korriku.

Më herët, tenderi u anulua në mars 2021, pasi konkurrentët nuk plotësonin kriteret tekniko ligjore. Në garë morën pjesë 5 pjesëmarrës, tre prej të cilëve nga Turqia.

Ky tunel do të ndërtohet me fondet e buxhetit sipas projektit dhe zgjidhjes teknike të dhënë nga kompania fituese.

Kjo e fundit ishte bashkim operatorësh ku mes të tjerash iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh, kompani inxhinierike e regjistruar në Austri, ELEA iC d.o.o dhe IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring – kompani inxhinierike regjistruar në Slloveni, dhe SEED Consulting sh.p.k. dhe “InfraKonsult” sh.p.k.

Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Sipas llogaritjeve, duke kaluar përmes tunelit prej 6 km, me një shpejtësi 50-80 km/orë, do të bënte që kjo rrugë të përshkohej për 7- 10 minuta.

Qeveria i ka fondet për pas vitit 2023

Tuneli është parashikuar që të financohet nga burime të brendshme, por pjesa më e madhe e fondeve parashikohet të disbursohen pas tre viteve.

Në listën e investimeve publike me financim të brendshëm, 2021-2023, fondi total i parashikuar për projektin e Tunelit të Llogorasë është 18.7 miliardë lekë, por gati 70% është për t’u paguar pas vitit 2023, ndonëse kontaktori i kërkohet që t’i përfundojnë punimet brenda tre vitesh.

Për këtë projekt, qeveria ka parashikuar për vitin 2021 një fond 4 miliardë lekësh dhe më pas nga 1 miliardë lekë përkatësisht në 2022 dhe 2023.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *