Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Tropojë. Sikurse bën me dije policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:10 në fshatin Luzhe të Tropojës, ku ka mbetur i plagosur me armë zjarri 39 vjeçari me inicialet B.K.
“Sot, rreth orës 07:10, në fshatin Luzhe, si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 46 vjeç, ka plagosur me armë zjarri shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Luzhë, i cili është transportuar për mjekim në spitalin e Tropojës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se e ka arrestuar autorin në kohë rekord:”Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, të cilat falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe prangosjen e autorit, shtetasit I. A., i cili ishte fshehur në një banesë të braktisur në periferi të fshatit.”
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së krimit, kallashnikov me një krehër me municion luftarak.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe një armë e ftohtë thikë me të cilën dyshohet se në momentin e konfliktit të çastit, i dëmtuari ka kanosur me thikë autorin dhe më pas konflikti është përshkallëzuar në përdorimin e armës nga 46-vjeçari.