Rudy Giuliani-t i është pezulluar licensa në Nju Jork. Kjo për shkak të pretendimeve të tij mbi procesin e zgjedhjeve në SHBA të vitit 2020.
77-vjeçari ka qenë kryetar i Bashkisë së Nju Jork dhe avokat personal i ish-Presidentit të SHBA-ve Donald Trump.
Kujtojmë se Trump refuzoi të pranonte humbjen e zgjedhjeve të nëntorit ndaj Joe Biden dhe avokati i tij Giuliani e çoi çështjen në gjykatë për të përmbysur rezultatin, duke pretenduar se zgjedhjet ishin manipuluar.
Por gjykata e apelit në Nju Jork vendosi që Giuliani kishte gënjyer për mashtrimin elektoral në publik dhe në deklaratat ligjore, duke i hequr edhe licensën.
Të enjten, ish-presidenti e mbrojti Giulianin si “një patriot i madh amerikan”.
Vendimi, i marrë nga një trup gjykues me pesë gjyqtarë, është i përkohshëm pasi Giuliani është në pritje të rezultatit të një seance të plotë disiplinore.
Që nga zgjedhjet, Trump dhe aleatët e tij kanë ngritur dhjetëra padi që pretendojnë se ka patur mashtrim të votuesve në zgjedhjet e vitit të kaluar. Të gjitha paditë, përveç njërës, janë pushuar nga gjykatat e SHBA-ve, ose janë tërhequr nga prokurorët.
Avokatët e Giuliani-t thanë se ishin të zhgënjyer me vendimin e Nju Jorkut.
“Klienti ynë nuk paraqet një rrezik aktual për interesin publik.”- thanë ata në një deklaratë të përbashkët, citon BBC. “Ne besojmë se sapo çështjet të hulumtohen plotësisht në një seancë z. Giuliani do të rikthehet si një anëtar i vlerësuar i profesionit të avokatit që ai ka shërbyer aq mirë në kapacitetet e tij për shumë vite.”
Në vendimin e tyre, gjykatësit thanë se Giuliani kishte bërë disa deklarata të rreme në lidhje me votimin në shtetet e Arizona, Georgia dhe Pensilvani – duke përfshirë pretendimet se qindra mijëra fletëvotime të munguara dhe vota të tjera ishin numëruar në mënyrë jo të duhur.
Pezullimi shënon një ndryshim të madh për Giuliani-n, i cili dikur kishte një karrierë të shquar juridike dhe politike në Nju Jork.