Po afrohemi në kulmin e sezonit turistik, por qyteti i Durrësit po përballet me krizën e mbetjeve. Panorama që ofron qyteti bregdetar nuk është aspak e bukur këto ditë, me plehrat që dalin nga kazanët e jetmbushur dhe derdhen në rrugë.
Situata e krijuar në zemër të qytetit bregdetar si lagjja nr. 1 apo shëtitorja ‘Taulantia’ ka shqetësuar edhe turistët që zgjedhin Durrësin për të pushuar.
“Balkanweb” thotë se nga Ndërmarrja e Shërbimit të Pastrimit në Durrës pohuan se qyteti është në kolaps mjedisor prej tre ditësh. Në qendër kazanët janë plot, ndërsa në lagjet e brendshme të qytetit nuk janë hequr prej tre ditësh.
Landfilli i Sharrës ku depozitohen mbetjet, i ka refuzuar tashmë mbeturinat. Dhe janë bllokuar rreth 12 kamionë nga qyteti i Durrësit të cilët ishin të ngarkuar me mbetje.
“Report TV” raporton se arsyeja se pse Inceneratori ia ka mbyllur derën kamionëve me plehra të Durrësit është për shkak të prishjes së marrëveshjes mes operatorit të impiantit dhe qeverisë për pagesat.
Në zonat periferike ndodh fenomeni tjetër që banorët detyrohen t’u vënë flakën vetë plehrave para banesave të tyre, duke mos ditur si t’i menaxhojnë ndryshe ato. Ata shprehen të shqetësuar për shqetësimin në shëndetin e tyre, që mund të sjellë kjo ndotje mjedisore.