Kryeministri Edi Rama paraditen e sotme ishte përsëri në Vlorë, ku inspektoi ecurinë e punimeve në sheshin e Flamurit, ndërtimin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin.
Përsëri ai i bëri dalje kryetarit të bashkisë Dritan Leli, duke u shoqëruar në vend të tij nga nënkryetari Afrim Qendro.
Rama tha se projekti po ecën me ritme të shpejta dhe se qytetarët do kenë mundësi ta përshkojnë me këmbë apo me biçikleta rrugën nga sheshi përmes Lungomares deri tek tuneli.
“Po ecin me ritme të shpejta punimet për Parkun e Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të Transballkanikes me zonën e portit, një hapësirë e re spektakolare publike për qytetin, vizitorët e turistët. Së shpejti nis puna edhe për tre Portet e reja ai Turistik, i Mallrave dhe Porti i Peshkatarëve.”- shkruan Rama krahas videos së publikuar në rrjetet sociale.
Nënkryetari Qendro, tha gjatë fjalës së tij se kanë përfunduar punimet nëntokësore.
“Disiplinuam ujërat e bardha sepse këtu ujërat e bardha bashkoheshin me të zezat.”–u shpreh Qendro.