Nxënësit në Britani po përdorin lëngje frutash për të marrë rezultate false pozitive të testit që bëhet në shtëpi për Covid-19 me qëllim për të shmangur mësimin. Siç shkruan “Daily Mail”, tani shkollat po paralajmërojnë prindërit të jenë ‘vigjilentë‘.
Kur pikat e lëngut të portokallit ose pijeve të gazuara si coca-cola vendosen në test, kjo mund të prodhojë një rezultat pozitiv sepse aciditeti i pijeve shkatërron proteinat e antitrupave në provë.
Dhe megjithëse nuk funksionon çdo herë, videot virale të publikuara në “Tik Tok” dhe “Instagram” kanë inkurajuar fëmijët në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që të provojnë të mashtrojnë për të mos marrë pjesë në mësim.
Në një nga këto videot thuhej:“Jeni të lodhur nga të shkuarit në shkollë? Dëshironi të merrni një test pozitiv të Covidit? Përdorni lëng portokalli.”
Një shkollë në Liverpool, para pak ditësh u dërgoi një email prindërve duke i paralajmëruar ata të vëzhgonin fëmijët e tyre kur ata bëjnë testet e Covidit në kushte shtëpie.
Shkolla i paralajmëroi prindërit se fëmijët në të gjithë vendin kishin zbuluar një hile për të prodhuar një rezultat të rremë pozitiv.
Kur në provë përdoren pikat e lëngut të frutave ose coca-cola, niveli i lartë i acidit shkatërron proteinat e antitrupave brenda tij.
Në email shkruhej: “Kombëtarisht, disa studentë të shkollave kanë zbuluar se vendosja e pikave të lëngut të portokallit ose lëngut tjetër të frutave në një test LFD merr një rezultat të rremë ‘pozitiv ‘.
Në dritën e kësaj, a mund të jeni tepër vigjilent kur fëmija juaj po bën testet e tij të LFD. Gjithashtu, kujtojini se një test pozitiv i LFD duhet të pasohet nga një test konfirmues PCR.”
Drejtori i shkollës Gareth Jones këmbënguli se ky mesazh u ishte dërguar prindërve pasi ata ishin vënë në dijeni të studentëve në ‘shkollat e tjera në vend’ që merrnin rezultate të pavlefshme ose pozitive duke derdhur lëng portokalli në testet Covid.
Ai tha: “Kjo praktikë është shpërndarë në kanalet e mediave sociale duke përfshirë TikTok.” Ai këmbënguli se nuk kanë prova se kjo ka ndodhur edhe në shkollën e tyre, por mendoi ta ndante këtë me prindërit në mënyrë që të ishin të vetëdijshëm. Gjithsesi, në rast se testi në kushte shtëpie do të rezultojë pozitiv, nxënësit do duhej të bënin edhe një test PCR në qendrat përkatëse, që s’do mund ta manipulonin.