Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit ka mbyllur hetimet për sulmin ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama dy vite më parë, kur ai po vizitonte Librazhdin.
“Balkanweb” raporton se prokuroria ka marrë të pandehur kryetarët e PD-së të degëve të qarkut Elbasan dhe një ish-deputet.
Ata janë: Aurel Bylykbashi ish-deputet i PD-së në Elbasan; Bujar Vreto, kryetar i PD-së në Librazhd; Arjan Karriqi kryetar i PD-së në Prrenjas; dy sekretarët e PD-së, Leonard Ozuni dhe Erlind Gurra; si dhe dy simpatizantë të PD-së, Bujar Kojku e Dashamir Boja.
Zyrtarët e PD-së janë marrë të pandehur për akuzën e “Organizimit, pjesëmarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.
Kujtojmë se incidenti ndodhi më 13 qershor të vitit 2019 në hyrje të Librazhdit, ku Rama po shkonte për një vizitë pune, në prag të zgjedhjeve lokale.
Dhjetëra banorë kishin dalë në rrugë dhe kanë tentuar të pengojnë eskortën e kreut të qeverisë që po shkonte drejt Përrenjasit. Edhe pse kanë ndërhyrë forcat speciale ka qenë e pamundur që turma të kontrollohej pasi në drejtim të makinës më të cilën udhëtonte Rama janë hedhur kapsolla dhe pankarta.