Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka folur lidhur me incidentin që pati një ditë më parë, me liderin e Partisë Popullore, Vuk Jeremiç dhe ekipin e tij në ambientet e Presidencës.
Vuçiç tha se ai ishte i vetëm përballë 5 personave.
“Ata bërtisnin, fyenin, ishin pesë prej tyre, kurse unë isha vetëm. Nuk mund të kesh aq shumë energji për të bërtitur si ata. Ata nuk më kërcënuan me asgjë, ajo çfarë bënë ishte një performancë politike.”-u tha Vuçiç gazetarëve pas hapjes së fabrikës “Jumko” në Rudna Glava, citon RS.N1.
Presidenti serb shtoi: “Unë nuk i fajësoj ata për këtë, por i fajësoj ata që rrezikojnë të ardhmen e Serbisë dhe ata nuk kanë ndonjë program, por e vetmja gjë që bëjnë është të kërcënojnë njerëz që mendojnë ndryshe dhe që e duan vendin e tyre.”
“Dje, pyesja veten nëse bëra gabim që zbrita (për t’u takuar). Përsëri, unë do të bëja të njëjtën gjë jo sepse mendoj se është një vepër e mrekullueshme, heroike, por dikush duhej të tregonte se një Serbi normale dhe e denjë nuk ka frikë nga banditët dhe nga dikush që do t’u dalë para t’u thotë: ‘Okej, hajde më rrih’. Ata e thanë këtë, por unë nuk u thashë ‘do jua tregoj unë’.”- deklaroi Vuçiç. Ai theksoi se i kërkoi Jeremiçit që të mos kërcënojë qytetarët.
Kujtojmë se Jeremiç tha se kishte shkuar në Presidencë të sqarohej me Vuçiçin për deklaratat fyese që ai kishte bërë një ditë më parë në TV kundër partisë së tij. Madje Vuçiç i kishte bërë një sfidë publikisht, Jeremiçit që të vinte me 4 shokë dhe të përballeshin.
“Presidenti zbriti nga zyra e tij dhe po dridhej i tëri. Ishte një situatë e pakëndshme edhe për forcat e sigurisë. Vuçiç filloi të bërtiste, duke thënë “hajde më rrihni”. Por në ato momente truprojat e tij e neutralizuan. E ftova të dilte jashtë por nuk guxoi. Na mallkoi, ofendoi dhe na kërcënoi. Më tha se jam hajdut. E pyeta nëse mund të dalim në televizion dhe të flisnim, por ai nuk pranoi.”- tha Jeremiç.