Vendosni fjalën kyçe....

Kamarieri në Velipojë u vra çdo ditë nga elita edhe kur ishte gjallë


Nga Arbër Zaimi

Djali jetim, kamarieri që u vra në ditën e parë të punës, si rrethanë anësore mes përplasjes së pronarëve ishte në gjendje të vështirë ekonomike (i varfër) e në gjendje të pafavorshme shoqërore (pa një rrjet familjar apo të njohurish që mund t’ia zbusnin përplasjen e dhunshme me jetën).

Ai synoi të punojë. Puna është kontribut për gjithë shoqërinë, çdo person që punon i jep më shumë shoqërisë se vetes.

Të varfrit, ata pa favorizime familjare, pa trashëgim e pa miq, duan t’i kontribuojnë shoqërisë duke ngritur vetveten përmes punës. Punojnë pa pretendimin për t’ua ditur gjithkush për faleminderit, pa mburrje e krekosje, pa zhurmë. E kush u kujtua për ata që vazhdonin të shisnin e pastronin nëpër markete, që prodhonin e transportonin ushqimin e mallrat, ndërkohë që gjithë ata që patën mundësi, u strukën nga frika për veten nëpër shtëpi gjatë fillimit të pandemisë? Kush i shpalli ata heronj, kur shpalleshin heronj mjekët e infermierët (jo që i bëhet kujt vonë për hallet e mjekëve e infermierëve, por “heronj” u shpallën se shumëkush prej atyre që patën luksin e strukjes në shtëpi, kishte prapë hallin e vetes dhe frikën për veten).

E ndërsa të mesmit janë kryesisht të tredhur nga frika për veten dhe shqetësimi për veten, shihni ç’bëjnë të pasurit. Elita. Ata që do duhej të udhëhiqnin këtë vend drejt zhvillimit, sepse kanë kapitalin, fuqinë vendimmarrëse, dhe diplomat që mund t’ua blejnë fëmijëve të tyre, apo vartësve kryesorë. Një elitë që kutërbon, pavarësisht nga parfumet, e përqendruar e gjitha në konsum të trupave të të rinjve të varfër që i shndërron në prostituta (apo eskortë për në Dubai), në kamarierë e në truproja (apo larës hesapesh).

Djali jetim, kamarieri që u vra, ishte vrarë edhe një ditë më parë, edhe ditën tjetër, çdo ditë, edhe kur ishte gjallë, nga një elitë qejflijsh perversë, që synon haptazi dhe pa u fshehur spastrimin e shqiptarëve që punojnë dhe kontribuojnë përmes punës në shoqëri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *