Pas dorëheqjes së Matt Hancock, vjen në postin e Ministrit të Shëndetësisë së Britanisë Sajid Javid.
Pas marrjes së detyrës së re, Javid ka thënë se dëshiron një kthim në normalitet “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Siç raporton BBC, Javid tha se do të bënte gjithçka që mundej për të “ofruar për njerëzit e këtij vendi të madh”.
Javid, i cili ka pasur disa role kryesore qeveritare, tha se paraardhësi Hancock i tij kishte punuar “tepër fort”. Kthimi i tij në kabinet vjen 16 muaj pas dorëheqjes së tij. Kryeministri Boris Johnson e emëroi atë Kancelar të Thesarit në kabinetin e tij të parë. Por Javid dha dorëheqjen si kancelar gjatë riorganizimit të kabinetit në shkurt 2020 pasi ai refuzoi një kërkesë nga Johnson, që ai të shkarkonte këshilltarët e tij.
Por laburistët e kritikuan rikthimin e tij në kabinetin qeveritar, duke e akuzuar se politikat e tij kishin dobësuar Shërbimin Kombëtar Shëndetësor.
Emërimi i Javid vjen pasi Hancock u zbulua se kishte tradhëtuar bashkëshorten dhe nënën e tre fëmijëve të tij, me këshilltaren në ministri dhe kishte shkelur rregullat e distancës sociale për këtë.
Hancock u detyrua të jepte dorëheqjen pas presionit lidhur me fotot e publikuara nga tabloidi “The Sun”.