Policia ka arrestuar dy të plagosurit e përfshirë në përplasjen me armë të ndodhur në Velipojë.
Në pranga u vunë Hasan Ferracaku dhe Elmilin Dyli, ndërsa janë shpallur në kërkim edhe: Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku dhe Besar Verrracaku, vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër. Këta të fundit dyshohen si bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë.
Deri më tani janë sekuestruar dy pistoleta, njëra e gjetur në vendngjarje e tjera në hotelin e Gocajve.
Kujtojmë se nga përplasja e cila fillimisht nisi për shezlongët në plazh, mbetën të vrarë katër persona: Kujtim Ferracaku 59 vjeç, Xhovani Gocaj 25 vjeç, Edmond Gocaj 38 vjeç dhe Myzerim Zeneli 20 vjeç.
Debati nisi mes vëllezërve Ferracaku dhe atyre Gocaj për pjesën e shezlongëve në plazh dhe konflikti mes tyre degradoi në përdorimin e armëve.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera grupi i posaçëm hetimor, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, ku si pasojë e një konflikti të çastit mbetën të vrarë me armë zjarri 4 shtetas dhe u plagosën 2 të tjerë, bazuar në provat e grumbulluara u arrestuan në flagrancë shtetasit:
- V., 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi E. D., 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër, të cilët janë në Spitalin e Traumës në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim shtetasit A. V., Sh. V. dhe B. V., vëllezër, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në konfliktin me armë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.