Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
Ademi ka bërë me faj strukturat shtetërore, përkatësisht Ministrinë e Turizmit dhe Agjencinë Kombëtare të Bregdetit pasi sipas saj nëse do ishin përcaktuar sipas afateve ligjore stacionet e plazhit mund të ishte shmangur ngjarja.
“Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit”-shkruan Ademi.
Gjithashtu, Ademi thotë se edhe policia mund të kishte shmangur këtë ngjarje nëse policia do ishte në territor në zbatim të Aktit Normativ për orën policore.
“Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar përpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm.
Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit.
Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimarrje të vonuara apo të munguara të shtetit”-shkruan Kryebashkiakja.