Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Çekia kundër BE-së për çështjen LGBTQ në shkolla, Zeman: Ata që s’janë LGBTQ të mbajnë marshimin e tyre në Pragë


Operacionet e ndryshimit të seksit janë një formë e vetëgjymtimit dhe heteroseksualët duhet të mbajnë një tubim në Pragë për të ilustruar absurditetin e paradave të Krenarisë, ka thënë presidenti Çek Milos Zeman, mes grindjeve të BE-së për çështjet LGBTQ.

Lideri çek nuk ishte i trembur për të ndarë pikëpamjet e tij mbi çështjet e identitetit gjinor gjatë një interviste të dielën.

“Unë mund t’i kuptoj homoseksualët, lesbiket, etj. Por a e dini se kë nuk kuptoj fare? Transgjinorët.” – tha Zeman.

 “Nëse dikush i nënshtrohet një operacioni për ndryshimin e seksit, ai kryen një krim të vetëdëmtimit. Çdo operacion është një rrezik. Dhe këta transgjinorë janë vërtet të neveritshëm për mua.” – shtoi ai.

Ai gjithashtu sulmoi lëvizjen #MeToo dhe shprehu zhgënjimin me paradën vjetore të Krenarisë në Pragë. Ai tha se nëse do të ishte ‘pak më i ri’, do organizonte një demonstrim masiv të ‘miliona’ heteroseksualëve në kryeqytetin çek.

“Unë do të marr autobusë dhe trena për në Pragë për të gjithë heteroseksualët në mënyrë që të gjithë të mund të shohin sa e pakuptimtë është e gjitha kjo.” – tha Zeman.

Komentet e tij provokuese u bënë në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me një mosmarrëveshje të vazhdueshme midis Brukselit dhe Budapestit mbi një ligj të diskutueshëm hungarez që ndalon reklamat LGBTQ në materialet shkollore.

Legjislacioni është dënuar gjerësisht nga shumë vende anëtare të BE-së, por Çekia është shprehur kundër qëndrimit të BE-së. Zeman argumentoi se nuk ishte e përshtatshme për kombet e tjera të ndërhynin në punët e brendshme të Hungarisë.

Sipas presidentit çek, kryeministri hungarez Viktor Orban nuk është antihomoseksual, por përkundrazi po lufton kundër ‘manipulimit’ të prindërve si dhe fëmijëve kur bëhet fjalë për edukimin seksual.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *