Një nga personat e pranishëm në përplasjen me armë në Velipojë ku mbetën të vrarë 4 persona e u plagosën dy të tjerë ka dhënë dëshminë e tij lidhur me ngjarjen e rëndë.
Sipas Hasan Ferracakut, vëllai i të cilit mbeti i vrarë dy ditë më parë, familja Gocaj kishte hapur zjarr e para duke çuar më pas në reagimin me armë të vëllait.
54-vjeçari e ka dhënë dëshminë nga spitali i Traumës ku ndodhet i shtrar pasi u qëllua me armë.
Ferracaku ka thënë se fillimisht i vëllai ka shkuar për t’u sqaruar me familjen Gocaj lidhur me vendosjen e shezlongëve e më pas gjërat janë përshkallëzuar.
“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezllonet në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezllonet, në një kohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në bazë të aplikimeve. Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më. Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve, dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli.” – ka thënë 54-vjeçari.