Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm Çuçi lidhur me ngjarjet e fundit në vend, duke kritikuar qëndrimin e tij.
Në një deklaratë zyryare, zyra e kreu të ILD-së, Artur Metani thekson se mosrespektimi i pavarësisë së gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë në detyrën e tyre po kthehet në traditë.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë u njoh me deklaratat publike të ministrit të Brendshëm z. Bledi Çuçi, me anë të të cilave janë paraqitur pretendime lidhur me disa vendimmarrje të magjistratëve dhe rolit të ILD-së. ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive. Për transparencë ndaj publikut, prioritet i punës së Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është shqyrtimi dhe vlerësimi me seriozitet, i të gjitha pretendimeve të paraqitura nga persona fizikë ose juridikë lidhur me veprimet, mosveprimet ose shkeljet e magjistratit brenda apo jashtë funksionit të tij, në ekuilibër midis parimeve të interesit publik për administrimin e drejtësisë dhe ndarjes së pushteteve.” – thuhet në reagim.
Më tej në deklaratë theksohet se parimi i ndarjes së pushteteve duhet respektuar nga çdo institucion në vend.
Sipas Metanit, vendimet e gjyqtarëve s’mund të bëhen objekt diskutimi nëpërmje deklaratëve publike e jashtë sistemit të ankimit gjyqësor.
Në fund në deklaratë thuhet se zyra e ILD-së është e hapur për të pranuar çdo kërkesë apo ankesë në lidhje me sjelljen e vendimmarjen e gjyqtarëve duke paralajmëruar masa në rast shkeljesh.
“Këto parime duhet t’i respektojë cdo institucion në vend, si standarde dhe vlera të një shoqërie demokratike dhe të garantimit të shtetit të së drejtës. Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor. Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve. Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore.” – mbyllet deklarata.