Vendosni fjalën kyçe....

Gazeta islandeze zbulon se dëshmitari kryesor në çështjen ndaj Julian Assange gënjeu


Akuzat kryesore në çështjen kundër bashkëthemeluesit të WikiLeaks Julian Assange, i cili përballet me 175 vjet burg nëse ekstradohet në SHBA, thuhet se bazohen në dëshminë e një mashtruesi të dënuar i cili pranoi në media se po gënjente.

Sigurdur Ingi Thordarson, një qytetar Islandez dhe ish-vullnetar i WikiLeaks, i cili u bë informator i FBI-së për 5,000 dollarë, ka pranuar në gazetën Islandeze ‘Stundin’ se ai kishte sajuar pjesë të rëndësishme të akuzave në aktakuzën ndaj Assange.

Në një artikull të botuar të shtunën, Stundin jep hollësi në disa pjesë të dëshmisë së tij që ai tani i mohon, duke pretenduar se Assange kurrë nuk e udhëzoi atë të kryente ndonjë hakim.

Gazeta thekson se edhe pse një gjykatë në Londër ka refuzuar të ekstradojë Assange në SHBA për arsye humanitare, ajo përsëri qëndroi në anën e SHBA-së kur u bë fjala për pretendimet e bazuara në dëshminë e Thordarson, që tani i ka mohuar.

Për shembull, vendimi thotë se ‘z. Assange dhe ‘Adoleshenti’ dështuan një përpjekje të përbashkët për të deshifruar një skedar të vjedhur nga një bankë e ‘vendit NATO 1’, ku vendi 1 i NATO-s ‘besohet se i referohet Islandës, ndërsa Adoleshenti iu referua vetë Thordarson’.

Thordarson gjithashtu siguroi botimin me regjistrat e bisedave nga koha e tij vullnetare për WikiLeaks në 2010 dhe 2011, duke treguar kërkesat e tij të shpeshta për hakerat që të sulmonin ose të merrnin informacion nga njësitë dhe faqet e internetit Islandeze.

Por, sipas ‘Stundin’, asnjë nga regjistrat nuk tregon se Thordarson-it iu kërkua ta bënte këtë nga dikush brenda WikiLeaks.

Në vitin 2012, WikiLeaks ngriti padi penale kundër Thordarson për përvetësim dhe mashtrim financiar. Ai u dënua më vonë për të dy veprat në Islandë.

Gazeta pretendon se dëshmia e Thordarson është thelbësore për linjën e prokurorisë që portretizon Assange si një kriminel, sesa një gazetar që boton materiale të mbrojtura nga Amendamenti i Parë, si New York Times ose media të tjera që ndanin të njëjtat dokumente si WikiLeaks.

Duke reaguar ndaj artikullit nga Stundin, sinjalizuesi i NSA-së, Edward Snowden ,shkroi në Twitter: “Ky është fundi i çështjes kundër Julian Assange”

Assange ka kaluar më shumë se dy vjet pas hekurave në Burgun Belmarsh në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria amerikane e ka akuzuar gazetarin australian sipas Aktit të Spiunazhit, duke e akuzuar atë për rrjedhje informacioni të klasifikuar në vitin 2010.

Në atë kohë, WikiLeaks publikoi dokumente që jepnin hollësi mbi abuzime, përfshirë krime të mundshme të luftës, të kryera nga ushtria amerikane në Afganistan dhe Irak. Uashingtoni aktualisht po kërkon ekstradimin e tij dhe Assange mund të burgoset deri në 175 vjet nëse shpallet fajtor.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani