Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri ka reaguar pas takimit mes kryeministrit Rama, presidentit serb Vuçiç e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zaev.
Lëvizja thekson se nga takimi nuk është bërë asgjë transparente siç ka ndodhur edhe më herët me takimet e tjera.
Po kështu në reagim thuhet se projekti i ‘Mini-Shengenit’ nuk mbështetet nga tre prej gjashtë vendeve të rajonit, njëri prej të cilëve edhe Kosova.
Po kështu në reagim thuhet se projekti i Mini-Shengenit Ballkanik është antishqiptar njësoj si ‘Vidovdani’ i ish-ambasadorit amerikan Richar Grennell duke iu referuar postimit të djeshëm të tij në Twitter.
Deklarata
“Ditën e sotme është mbajtur një takim për projektin që po e quajnë ‘Mini-Shengen’ mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Për publikun e gjerë ende nuk është bërë transparencë e plotë lidhur me këtë takim, njëjtë siç ka ndodhur prej takimit të parë atë të Novi Sadit.
‘Mini-Shengeni’ ose më saktë ‘Zona e Novi Sadit’ nuk mbështetet nga tre prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Republikën e Kosovës.
Në kuadër të kundërshtimit, për shkak të dëmeve të projektit të Mini-Shengenit sjellim në vëmendje katër pikat e deklaratës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri të datës 18 tetor 2019, të cilat janë aktuale edhe sot:
- Interesat kombëtare kërkojnë që Shqipëria të përfshihet në iniciativa diplomatike rajonale me Kosovën dhe duke marrë parasysh qëndrimet e kësaj të fundit. Shqipëria dhe Kosova nuk janë të lidhuara vetëm historikisht, kulturalisht dhe emocionalisht me njëra tjetrën, por edhe ekonomikisht dhe në nivel diplomatik sa u takon marrëdhënieve ndërkombëtare me shtetet e tjera.
- Tirana zyrtare gabon kur vepron në drejtim të normalizimit ndërkombëtar të Serbisë, para se Serbia të normalizojë vetveten. Duhet që Serbia të njohë të shkuarën e vet, të ballafaqohet me të dhe të nisë ‘demillosheviçizimin’. Ajo duhet të kërkojë falje për krimet, të dënojë kriminelët, të dëmshpërblejë viktimat dhe të njohë Kosovën. Këto janë kërkesa minimale që çdo pushtet që në Tiranë ka parasysh interesat kombëtare duhet t’i çojë përpara ndërkombëtarisht sa herë që mundet.
- Iniciativat e tilla, të tregtisë së lirë, nuk janë formale. Ato kanë pasoja ekonomike. Nuk duhet që në emër të shtetit të nënshkruhen marrëveshje, pa u bërë më parë një analizë e hollësishme e përfitimeve dhe e kostove, si dhe pa u konsultuar në mënyrë transparente me grupet e interesit, që në këtë rast janë prodhuesit vendas në Shqipëri e Kosovë.
- Shqipëria dhe Kosova duhet të konkretizojnë e zbatojnë sa më parë marrëveshjet e nënshkruara mes dy qeverive, duke krijuar një treg të përbashkët, ku prodhuesit e Shqipërisë dhe Kosovës mbrohen e drejtohen për të zhvilluar avantazhe në sektorë strategjik me potencial ekonomik.
Shqipëria nuk mund të zbatojë projekte rajonale duke u sjellë sikur Kosova nuk ekziston. Jemi dy shtete të të njëjtit komb dhe duhet të veprojmë të koordinuar ngushtë në bazë të interesave kombëtare.
Kujtojmë që Serbia është bërë pjesë e ‘Unionit Ekonomik Euroaziatik’, një bllok ekonomik i themeluar dhe udhëhequr nga Rusia, e cila në krye të këtij Unioni ka vendosur Aleksandër Lukashenkon, Presidentin e shumëkontestuar të Bjellorusisë. Vlen të theksohet se SHBA-të dhe BE-ja kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, nderkohë që Komisioni Europian ia ka bërë të qartë Serbisë se ajo nuk mund të pranohet në BE duke qenë pjesë e marrëveshjeve të Unionit Ekonomik Euroaziatik.
Në ‘Unionin Ekonomik Euroazitik’ shetet anëtare synojnë krijimin e një tregu të përbashkët ngjashëm me BE-në, por kjo nuk e bën ‘europian’ Unionin Ekonomik Euroaziatik, ashtu siç nuk është një projekt europian as ‘Mini-Shengeni’ i iniciuar nga Serbia në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Mini-Shengeni është ideuar dhe krijuar nga Serbia me synimin e qartë për të dominuar ekonomikisht dhe politikisht gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pikërisht në këtë projekt të Serbisë e ka futur Shqipërinë Kryeministri Edi Rama, duke e hapur vendin tonë jo vetëm ndaj ndikimit të Serbisë por edhe ndaj atij të Rusisë.
Dihet që Administrata e vjetër e SHBA-ve nën ndikimin e funksionarëve (tashmë të dëshmuar qartazi si filo-serbë si Grenell), e ka mbështetur projektin e Mini-Shengenit.
Por sot kemi një tjetër Administratë në SHBA, që ka dëshmuar se po shkëputet nga projektet e vjetra të rrezikshme për rajonin e Ballkanit dhe se po kërkon një lidhje më të fortë mes SHBA-së dhe BE-së.
Përfaqësuesit që mbështesnin projektet e vjetra të padrejta dhe të rrezikshme për Ballkanin, si ish-Ambasadori Richard Grenell, nuk kanë më peshë vendimmarrëse për rajonin tonë. Për më tepër, z. Grenell u diskreditua edhe më shumë ditën e djeshme në sytë e publikut të gjerë duke shtrembëruar historinë dhe duke nderuar ‘martirët e shenjtë serbë’ në ‘festën e Vidovanit’, të cilën Serbia e keqpërdor për të mohuar të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje.
Hipokrizia e z. Grenell del edhe më shumë në pah kur kujtojme faktin se kur ishte në pushtet deklaronte se nuk duhet të merremi me historinë. Kryeministri Rama i shkoi në intervistë para 5 ditëve pikërisht z. Grenell, duke e falenderuar për rolin e tij në lidhje me Mini-Shengenin.
Kemi, pra, një kryeministër shqiptar që mbështet projektin e Mini-Shengenit që shkon kundër interesit kombëtar dhe projekteve integruese të BE-së, dhe njëkohësisht falenderon dhe ndërvepron me ish zyrtarë të Administratës së vjetër Trump që nderojnë mitet hegjemone të Serbisë.
Tiranë, 29 qershor 2021
Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri