Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Plazhet janë të popullit, subjekteve që s’kanë dokumentacion do u sekuestrohen çadrat


Kryeministri Rama ka paralajmëruar se të gjitha subjektet që nuk janë në rregull me dokumentet në vijën e plazhit do përballen me ligjin dhe do u sekuestrohen çadrat, shezlongët e pajisjet e tjera.

Kreu i qeverisë zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët pas ngjarjeve të rënda të ditëve të fundit me 8 viktima në Vlorë e Velipojë.

“Dua që t’i bëj thirrje të gjitha atyre subjekteve që nuk janë në rregull me dokumentacionin dhe që kanë operuar me teorinë e faktit të kryer që ta largohen nga sipërfaqet që nuk iu takojnë me lidh dhe me rregull. Policia do jetë e pranishme në të gjithë vijën bregdetare dhe do të konfiskojë çdo çadër, strukturë që nuk është e përputhur me bazën dokumentare të subjektit. Plazhet janë të popullit, të qytetarëve. Kjo skemë e re e administrimit të hapësirës së plazheve ka krijuar më shumë të ardhura për sektorin publik dhe më shumë hapësira për qytetarët që nuk dëshirojnë të jenë pjesë e hapësirave ku plazhi administrohet nga privati. Subjektet që nuk janë aty ku janë vendosur me teorinë e faktit të kryer do të largohen vetë dhe të mos humbasin dhe atë bazë materiale që kanë siguruar për aktivitetin e tyre sepse ajo do t’u merret si mjet uzurpimi i paligjshëm.” – deklaroi Rama.