Kalifornia ka ndaluar udhëtimin e financuar nga shteti në Arkansas, Florida, Montana, Dakota e Veriut dhe Virxhinia Perëndimore, pasi sipas saj shtete në fjalë kanë ligje që ‘diskriminojnë’ popullsinë LGBTQ, duke e çuar numrin e përgjithshëm të shteteve në SHBA të cilëve u është vendosur embargo në 17.
“Ne jemi në mes të një vale të paparë fanatizmi dhe diskriminimi në këtë vend – dhe shteti i Kalifornisë nuk do ta mbështesë atë.” – tha Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit, Demokrati Rob Bonta, teksa njoftonte ndalimin.
Bonta tha se pesë shtetet kanë futur ose miratuar ligje që diskriminojnë komunitetin LGBTQ, të tilla si parandalimi i grave dhe vajzave transgjinore nga pjesëmarrja në sportet shkollore ‘në përputhje me identitetin e tyre gjinor’.
Ligjvënësit në këto shtete ‘do të preferonin të demonizonin të rinjtë trans sesa të përqendroheshin në zgjidhjen e çështjeve reale si trajtimi i dhunës me armë, mposhtja e kësaj pandemie dhe rindërtimi i ekonomisë sonë’, shtoi Bonta.
Kalifornia filloi të ndalonte punonjësit e shtetit të udhëtonin në shtetet e ndaluara për trajnim ose konferenca në vitin 2016. Lejohen përjashtime për udhëtimet e nevojshme për të zbatuar ligjin e Kalifornisë, ose kontratat e nënshkruara para se ndalimi të hynte në fuqi.
Pesë shtetet bashkohen me një duzinë të tjera që janë futur në listën e zezë nga Sacramento deri më tani: Alabama, Kansas, Kentucky, Idaho, Iowa, Mississippi, North Carolina, Oklahoma, Carolina e Jugut, Dakota e Jugut, Tenesi dhe Texas.