Vendosni fjalën kyçe....

BERZH: Ekonomia e Shqipërisë tejkalon me 1% nivelin e 2019 që këtë vit, rritja 4.5%


Ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.5% këtë vit, sipas pritshmërive të reja të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Parashikimet e BERZH mbeten të njëjtat si ato të vjeshtës 2020, por shumë më optimiste se parashikimet e fillimit të pandemisë, kur pritshmëritë ishin për rënie 9.5% në vitin 2020, teksa në të vërtetë, ekonomia ra 3.5%.

BERZH përllogariti se, ekonomia e Shqipërisë do të arrijë nivelin e 2019-s që këtë vit, madje do ta tejkalojë atë me 1% që këtë vit, por gjithsesi do të rritet me ritme më të ulëta se mesatarja e Ballkanit Perëndimor me 5.1%.

Në rajon, ritmin më të lartë të rritjes këtë vit do ta ketë ekonomia e Malit të Zi me 8.5%, për shkak të rënies së madhe të vitit të kaluar me -15.2%, ekonomia e Serbisë do të zgjerohet me 6%, ekonomia e Maqedonisë me 4%, ajo e Kosovës 4%, ndërsa ekonomia e Bosnjës, me 3.5%.

Sipas të dhënave kombëtare të publikuara një ditë më parë nga INSTAT, ekonomia e vendit tonë u rrit me 5.3% në tremujorin e parë të vitit me ritme më të larta e parashikimi i BERZH.

BERZH u tregua më optimist në parashikimet e reja, duke korrigjuar me rritje në 4.2% ritmet e rritjes në vendet në zhvillim (Europën Lindore, Azinë Qendrore dhe Afrikën Veriore), nga 3.6% që ishin parashikimet në tetor të vitit 2020.

Për 2022, BERZH pret zgjerim të mëtejshëm me 3.9% rritje, ndërsa për Shqipërinë parashikon një rritje 4% vitin që vjen. Tkurrja e prodhimit në vitin 2020 ishte më e butë sesa ishte parashikuar më parë, pas përmirësimeve në mjedisin e përgjithshëm ekonomik në fund të vitit të kaluar për shkak të eksporteve të forta dhe mbështetjes fiskale.

“Megjithëse parashikimet e rishikuara japin arsye për të qenë optimistë, mbetet një pasiguri e madhe në lidhje me rrugën e variantit të ri të Covid-19, “Delta” që paraqet rreziqe veçanërisht të mëdha për vendet që kanë bërë më pak përparim me vaksinimet dhe për ekonomitë e varura shumë nga turizmi ndërkombëtar. Pamja për vitin 2020 është e larmishme. Ndërsa disa vende në Europën Qendrore dhe vendet baltike paraqiten mirë krahasuar me shumë ekonomi të përparuara europiane falë një reagimi të fortë në eksportet e mallrave.” – thuhet në deklaratën e BERZH.

Parashikimi për turizmin ndërkombëtar mbetet shumë i pasigurt për shkak të masave kufizuese, duke bërë që ekonomitë e varura nga turizmi të vazhdojnë të vuajnë pasojat

Dobësitë fiskale janë rritur pasi paketat stimuluese kanë rritur borxhin publik në rajonet e BERZH me një mesatare prej 11 pikë përqindje të PBB-së. Në shumë ekonomi, borxhi publik tani është në nivele që janë parë për herë të fundit gjatë recesionit në tranzicionin e fillimit të viteve 1990 dhe mund të rritet më tej. Ndërsa falimentimet deri më tani kanë mbetur të përmbajtura për shkak të mbështetjes së gjerë nga paketat e ndihmës, dobësitë mund të shfaqen kur tërheqin masat e mbështetjes së qeverisë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor