Vendosni fjalën kyçe....

Ndryshe nga ekonomia, konsumi i popullatës nuk rimëkëmbet pas pandemisë

Konsumi i popullatës shfaqi dobësi në tremujorin e parë të vitit 2021 edhe pse vendi po kalonte valën e dytë të pandemisë, pa masa kufizuese në lëvizje përgjatë ditës.

Sipas përllogaritjeve të INSTAT gjatë janar-mars 2021 konsumi final i popullatës u rrit me vetëm 1.49 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit. Vjet në tremujorin e parë edhe pse nën efektet negative të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe pandemisë në 20 ditët e fundit të marsit, treguesi shënoi rritje me 1.78%. Më pas në tremujorin e dytë dhe tretë si pasojë e kufizimeve në lëvizje prej masave anti-Covid konsumi shënoi rënie përkatësisht me 8.4 dhe 3.3 %.

Konsumi i individëve po rimëkëmbët me ngadalë sesa aktiviteti i bizneseve. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se ekonomia shqiptare u rrit me 5,53% në tremujorin e parë të vitit. https://www.monitor.al/ekonomia-u-rrit-me-553-ne-tremujorin-i-2021-kontributi-kryesor-nga-industria-ndertimi-dhe-shendetesia/

Organizmat ndërkombëtare të ekonomisë parashikonin rritje të shpejtë të konsumit pas heqjes së masave kufizuese, me idenë se njerëzit do të blinin si zakonisht plus blerjet e munguara gjatë karantinës. Por deri më tani kjo tendencë nuk është reflektuar. Pandemia ka rritur pasiguritë duke i bërë më skeptike konsumatorët të cilët prej më shumë se një viti i kanë përqendruar blerjet vetëm në artikujt e domosdoshëm.

Tregtia me pakicë që është treguesi kryesor i konsumit të popullatës në tremujorin e parë të vitit 2021 shfaqi dobësi në shitjen e ushqimeve. Shitjet në këtë grup shënuan rënie me 3.5 për qind në krahasim me janar-mars 2020, duke reflektuar dobësitë në rritjen e konsumit pasi më shumë se 44 për qind e shpenzimeve të familjeve janë të përqendruar tek artikujt ushqimore.

Artikujt jo ushqimore dhe karburantet pësuan rritje përkatësisht me 3,5 dhe 11 për qind, por ato kanë një peshë më të ulët në konsumin e përgjithshëm të popullatës.

Në rritje dyshifrore ishte konsumi i produkteve farmaceutike, teksa pandemia shënoi një tjetër valë të fortë në shkurt-mars.

Vitet e fundit konsumi final i popullatës po ndikohet negativisht edhe nga faktori demografik. Çdo vit emigrojnë nga vendi mijëra persona, mungesa e të cilëve reflektohet menjëherë ne tregti dhe konsum. Vit pas viti qindra njësi të tregtisë me pakicë në qarqet e vendit mbyllen për shkak të pakësimit të banorëve.

Rënia e konsumit rrezikon më së shumti bizneset në sektorin e tregtisë. Ky sektor ka ardhur në tkurrje vitet e fundit. Përgjatë dekadës pesha e tregtisë në prodhimin e Brendshëm Bruto ka rënë me 1 pikë përqindje.

Përgjatë vitit të fundit konsumi i popullatës ka ndryshuar sjellje duke u përshtatur me situatën. Gjate periudhës së pandemisë, blerjet janë përnderuar tek ushqimet, shërbimet shëndetësore dhe medikamentet dhe pajisje teknologjike që siguronin punën dhe komunikimin në distancë.

Në tre dekadat e fundit konsumi ka qenë motori i rritjes ekonomikë në vend. Kalimi nga një ekonomi e centralizuar me cikël të mbyllur drejt ekonomisë së tregut e çoi modelin ekonomik të vendit nga prodhimi tek konsumi. Konsumi është ushqyer veç burimeve të brendshme nga remitancat.

Gjatë dekadës së fundit ritmet e rritjes vjetore të konsumit u përgjysmuan në 2-3 për qind, teksa ky tregues ishte më shumë se 6% për qind para krizës financiare globale.

Para krizës financiare ndërkombëtare konsumi është ushqyer nga një rritje agresive e pagave dhe pensioneve në sektorin publik dhe rritjes së remitancave.

Pas krizës globale, politikat fiskale që stimulojnë konsumin kanë qenë të moderuara dhe janë përqendruar në administrimin e stabilitetit fiskal.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *