Vendosni fjalën kyçe....

Nesër nis komunikimi pa roaming në Ballkanin Perëndimor


Nga dita e enjte (1 korrik) do të nisë epoka e komunikimit pa roaming në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë do të mund të komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera, të përfshirë në marrëveshje, pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës.

Ky proces nisi në mesin e vitit 2019, me uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming, me dy etapa, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021. Heqja e tarifave roaming do të lehtësojë komunikimin në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit.

Procesi u mundësua falë një marrëveshjeje rajonale të nënshkruar nga vendet e rajonit në vitin 2019, me ndërmjetësimin e komisioneres së Bashkimit Europian për ekonominë dhe shoqërinë dixhitale, Mariya Gabriel. Heqja e tarifave roaming u bë në modelin e ndjekur më parë nga Bashkimi Europian, që prej qershorit të vitit 2017.

Në fillim të këtij muaji, Këshilli Drejtues i AKEP miratoi edhe rregulloren që i hap rrugën heqjes përfundimtare të këtyre tarifave. Rregullorja përcakton se operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming me pakicë, sipas çmimeve përkatëse brenda vendit për pajtimtarët e tyre, të cilët zakonisht janë rezidentë në Shqipëri, në kohën që ata udhëtojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen edhe për njësitë e komunikimit të paketave ofertë, që përdoruesit do të vazhdojnë t’i përdorin lirisht edhe në roaming.

Megjithëse nga 1 korriku tarifat roaming në Ballkanin Perëndimor do të hiqen, rregullorja lë sidoqoftë hapësira që operatorët të mund të kërkojnë vendosjen e tarifave shtesë, në rastet kur ata nuk janë në gjendje të mbulojnë kostot, gjë që sjell si pasojë dëmtimin e qëndrueshmërisë së tarifimit të shërbimeve brenda vendit.

Rregullorja e AKEP përcakton edhe metodologjinë e vlerësimit në rastet kur operatorët celularë mund të kërkojnë zbatimin e një tarife shtesë në roaming. AKEP mund të pranojë vendosjen e një tarife shtesë në roaming vetëm në rastet kur humbjet në roaming tejkalojnë 3% të fitimet nga shërbimet celulare të operatorit aplikues.

Megjithatë, edhe kur provohet një diferencë e tillë, AKEP mund ta refuzojë aplikimin për tarifë roaming shtesë. Kjo mund të ndodhë kur operatori është pjesë e një grupi biznesi dhe ka prova të transferimit të brendshëm të çmimit në favor të filialeve të tjerë të grupit brenda Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në funksion të disbalancave të konsiderueshme të tarifave të shitjes me shumicë të zbatuara brenda grupit.

Gjithashtu, kërkesa për tarifa shtesë do të refuzohet kur shkalla e konkurrencës në tregun brenda vendit krijon hapësira për të përballuar marzhet e reduktuara, ose kur zbatimi i një politike më kufizuese të përdorimit të drejtë do të ulte marzhin neto të shitjes me pakicë në roaming në më pak se 3%.

Në rrethana të jashtëzakonshme, kur një operator ka një marzh negativ të shërbimeve celulare dhe një marzh neto negativ të shitjes me pakicë të roaming, AKEP mund të autorizojë aplikimin e një tarife shtesë për shërbimet e rregulluara të roaming./ E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor