Ka nisur në Durrës aksioni për lirimin e plazheve që janë zënë pa leje nga bizneset që operojnë në vijën bregdetare.
Ky aksion vjen pas paralajmërimit nga kryeministri Edi Rama ndaj bizneseve që t’i largojnë vetë çadrat dhe materialet që kanë vendosur pa leje në të kundërt ato do t’iu sekuestrohen.
Aksioni po ndërmerret nga Policia bashkiake në bashkëpunim me atë të rendit. Sikurse raporton “News 24”, deri më tani janë sekuestruar shezlongët dhe çadrat e tre subjekteve.
Aksioni po zhvillohet nga Ura e Dajlanit tek Iliria,si dhe nga Përroi i Agait deri te Shkëmbi i Kavajës, sipas informacionit të marrë në tre sektorë.
Ky aksion vjen pak ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Velipojë, ku katër persona humbën jetën pas një përplasje për hapësirat për çadrat.
Kryeministri Edi Rama, ditën e djeshme tha se “Subjektet që nuk kanë leje duhet të largohen vetë, dhe të mos humbasin bazën materiale, e cila do t’iu merret dhe nuk do t’iu kthehet më mbrapsht”.