Vendosni fjalën kyçe....

Soreca përgënjeshtron Aleancën për Teatrin: Shpifje, me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese s’është folur fare për Teatrin Kombëtar


Delegacioni i BE-së në Tiranë ka përgënjeshtruar deklaratat e publikuara në media të një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar lidhur me kreun e kësaj përfaqësie. Luigi Soreca.

Në reagimin e delegacionit të BE-së thuhet se Soreca është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha më 16 qershor 2021 dhe se në qendër të takimit ka qenë zbatimi i reformës në drejtësi.

Po kështu në deklaratë theksohet se në takim nuk është folur aspak për Teatrin Kombëtar. Në fund të letrës paralajmërohet ndjekje ligjore ndaj deklaratave të bazuara në shpifje të bëra në media.

Reagimi

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.

Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.

Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.

Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *