Dhjetëra njerëz kanë vdekur në Kanada mes një vale të paparë nxehtësie që ka thyer rekordet e temperaturës.
BBC shkruan se policia në zonën e Vancouver ka raportuar për më shumë se 130 vdekje të papritura që nga e Premtja. Shumica ishin të moshuar ose kishin kushte themelore shëndetësore.
Ata thanë se nxehtësia ishte një faktor kontribues në shumë raste.
Të martën, Kanadaja regjistroi temperaturën e saj më të lartë ndonjëherë për të tretën ditë radhazi, 49.5C në Lytton, në Kolumbinë Britanike.
Para kësaj jave, temperaturat në vend nuk i kishin kaluar kurrë 45C. Policia tha se vapa besohet të ketë qenë një faktor kontribues në vdekjen e 65 njerëzve në qytetin e Vancouver.
Periferia e Burnaby ndërkohë, raportoi të paktën 34 vdekje të papritura ndërsa zona e Surrey regjistroi 38.
“Vancouver nuk ka provuar kurrë nxehtësi si kjo, dhe fatkeqësisht dhjetëra njerëz po vdesin për shkak të saj.”– tha rreshteri i policisë, Steve Addison.
Në fshatin e vogël Lytton, banorja Meghan Fandrich tha se kishte qenë “pothuajse e pamundur” të dilje jashtë.
“Ka qenë e patolerueshme.”– i tha ajo gazetës Globe & Mail. “Ne po përpiqemi të qëndrojmë brenda sa më shumë që të jetë e mundur. Ne jemi mësuar me nxehtësinë, dhe është një nxehtësi e thatë, por 30 gradë është shumë më ndryshe nga 47″.