Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se përveç pikës së fundit në Marrëveshjen e Uashingtonit, nuk pretendon të implementojë pikat tjera. Ai madje thotë se një pikë në Marrëveshjen e Uashingtonit bie në desh me Kushtetutën e Kosovës.
Kurti po ashtu ka lënë të kuptohet se ish-kryeministri, Avdullah Hoti, është dashur të përballet me Gjykatën Kushtetuese për këtë Marrëveshje.
“Së pari aty e keni parë që mungon nënshkrimi i ish-Presidentit amerikan. Është nënshkrimi i ish-kryeministrit tonë. Këto janë të detaje shumë të rëndësishme. Pra, është çështje e çuditshme ai tekst. Pika e fundit është e pranueshme, njohja e Izraeli është diçka e cila ka ndodhur dhe është e mirë. Por pikat tjera janë të diskutueshme. Ka edhe pika problematike. Madje një pikë aty është moratoriumi që Kosova nuk mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare. Kjo është kundër Kushtetutës tonë. Por kryeministrit të kaluar nuk i erdhi radha që të përballet në Kushtetuese edhe me këtë pikë pasi doli se me datën 3 qershor ai nuk ishte zgjedhur”-tha ai në RTK.