Është liruar sot nga detyra Gjovalin Loka, i cili ishte drejtor i Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit.
Sipas “Report TV” ai u lirua nga detyra për shkak të ristrukturimit në organigramën e Policisë së Shtetit.
Lokës i është komunikuar vendimi gjatë ditës së sotme dhe ai pritet të emërohet në një post tjetër.
Loka u emërua drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, në shkurt të vitit 2018. Ai zëvendësoi në këtë detyrë Altin Qaton.
Loka ka një eksperiencë të gjatë në strukturat e Policisë së Shtetit dhe me gradën e lartë “Drejtues i Parë”. Ai ka mbajtur edhe postin e shefit të komisariatit numër 1 në Tiranë.
Ai ka drejtuar edhe disa drejtori mjaft të rëndësishme policie, siç është ajo e Shkodrës, Vlorës dhe e Lezhës. Po ashtu ka qenë Drejtor Rendi në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në vitin 2013.
Largimi i Lokës vjen pak ditë pas ngjarjeve të rënda në Vlorë e Velipojë ku humbën jetën tetë persona. Nga një aksident i ndodhur në rrugën Fier-Vlorë, ku një mjet tip ‘Audi’ goditi nga pas një mjet ‘Toyota’humbën jetën katër anëtarët e familjes që udhëtonin me këtë të fundit.
Në Velipojë u vranë katër persona pas një përplasjeje mes dy familjeve për ndarjen e plazhit e vendosjen e çadrave e shezlongëve. Tre ditë më parë ministri i Brendshëm, Çuçim në një konferencë për shtyp paralajmëroi ristrukturim të policisë nisur nga ngjarjet e rënda të ditëve të fundit, sidomos masakrës së Velipojës. Të nëjtën gjë paralajmëroi edhe kryeministri Rama në një bashkëbisedime me gazetarët dy ditë më parë.