Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria nuk e përmbushi qëllimin për 1 milionë vaksinime brenda Qershorit


Në seancën e sotme plenare në Kuvend, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu foli për situatën e deritanishme të pandemisë së Covid-19 në vendin tonë. Ministrja tha se numri i të vaksinuarve në vend ka shkuar në 968 mijë të vaksinuar, ndërsa kujtojmë angazhimin e qeverisë që të arrinte 1 milionë vaksinime deri në fund të qershorit. Pra ky angazhim nuk ka mundur të realizohet pasi janë kryer 32 mijë vaksinime më pak.

“Shqipëria po kalon një situatë të qëndrueshme dhe të kontrolluar të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2 dhe padyshim kjo situatë reflekton fushatën e sukseshme të vaksinimit anti-Covid si dhe masat që kemi ndjekur nga rekomandimet e ekspertëve tanë.

Përmbyllëm dy ditë të hapura të vaksinimit plus 18 vjeç, ku mbi 25 mijë qytetarë apo vaksinime janë kryer dhe mbi 17 mijë qytetarë janë vaksinuar për herë ta prë, duke çuar në 968 mijë numrin e vaksinimeve të kryera në vend. Po ecim me ritme të mira edhe sa i takon dozave të dyta. Sot që flasim janë mbi 400 mijë qytetarë, që janë plotësisht të vaksinuar dhe të mbrojtur nga Covid-19.“- deklaroi ministrja Manastirliu.

Ajo shtoi se pavarësish treguesve pozitivë, duhet të jemi në alert për variantin e ri Delta, të zbuluar fillimisht në Indi për shkak se është më infektiv se variantet e tjera. Manastirliu tha se në vendin tonë ende nuk është zbuluar asnjë rast me këtë variant por autoritetet shëndetësore janë vënë në alert për zbulimin e hershëm të rasteve të dyshuara.

“Këto janë padyshim tregues shumë pozitivë të ecurisë së epidemisë në vend. Por ka një alert që ekspertët referojnë dhe doja ta sillja në vëmendjen e të gjithëve, është alerti për shkak të variantit të ri Delta, i cili është identifikuar edhe në vendet e rajonit dhe nga OBSH vlerësohet si një variant i ri por që ka ngjallur shqetësim sepse është shumë më infektues se variantet e tjera që kanë qarkulluar deri më tani.

Aktualisht në laboratorët tanë nuk është identifikuar asnjë rast me variantin e ri Delta por të gjitha strukturat e sistemit të survejancës janë vendosur në alert për kapjen e hershme të çdo rasti të dyshuar.”- deklaroi ministrja.