Turqia është tërhequr zyrtarisht këtë të enjte nga një traktat ndërkombëtar për të parandaluar dhunën ndaj grave.
Mijëra njerëz u ngritën të protestojnë në të gjithë Turqinë, ku një apel gjyqësor për të ndaluar tërheqjen u refuzua këtë javë.
“Ne do të vazhdojmë luftën tonë.”- tha të mërkurën Canan Gullu, presidente e Federatës së Shoqatave të Grave Turke, citon Reuters. “Turqia po qëllon veten në këmbë me këtë vendim.”
Ajo tha se që nga marsi kur presidenti Erdogan bëri të ditur njoftimin se planifikonte të tërhiqej nga traktati, gratë dhe grupet e tjera në nevojë ishin më ngurruese për të kërkuar ndihmë dhe kishin më pak gjasa ta merrnin atë, sidomos duke patur parasysh vështirësitë ekonomike të nxitura edhe nga Covid-19, që ka shkaktuar një rritje dramatike të dhunës ndaj tyre.
Konventa e Stambollit e nënshkruar në vitin2011, angazhoi nënshkruesit e saj për të parandaluar dhe ndjekur penalisht dhunën në familje dhe për të promovuar barazinë.
Tërheqja e Ankarasë u prit me kritika si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe kritikët thonë se kjo e vë Turqinë edhe më larg BE-së.
Vetëvrasja është rritur në Turqi, me një grup monitorimi që regjistron afërsisht një në ditë në pesë vitet e fundit.
Ithtarët e konventës dhe legjislacionit përkatës thonë se është i nevojshëm një zbatim më i rreptë. Por shumë konservatorë në Turqi dhe në Partinë AK me rrënjë islamike të Erdoganit, thonë se pakti minon strukturat familjare që mbrojnë shoqërinë.
Disa gjithashtu e shohin Konventën si promovim të homoseksualitetit përmes parimit të saj të mos-diskriminimit për shkak të orientimit seksual.
“Tërheqja e vendit tonë nga konventa nuk do të çojë në ndonjë mangësi ligjore ose praktike në parandalimin e dhunës ndaj grave.”- tha zyra e Erdoganit në një deklaratë para gjykatës administrative të martën.