Vendosni fjalën kyçe....

Vajzave të gruas që rrahu një tjetër grua

Nga Irena Beqiraj

Sikur nëna juaj do të kishte lexuar  vetëm këtë pasazh të Elena Ferrantes, nuk do të kishte ngritur dorë  kurrë mbi një tjetër grua.

Elena Ferrante nuk njihte qoftë edhe një “kurvë” edhe pse siç thotë ajo – letërsia është  e mbushur  plot me to, po kështu, është edhe jeta e përditshme.

–  “E kam parim të mos përgojoj asnjë grua tjetër, edhe sikur të më ketë fyer apo cënuar në mënyrën më të padurueshme. Ndihem e detyruar të mbaj këtë qëndrim, pikërisht sepse e njoh mirë gjendjen e grave: është gjendja ime, të cilën e gjej tek të tjerat; e di që sot çdo grua përballet përditë me një stërmundim të jashtëzakonshëm e të dëshpëruar. E varfër apo e pasur, e paditur apo e arsimuar, e bukur apo e shëmtuar, e famshme apo e panjohur, e martuar apo beqare, e punësuar apo e papunë, me fëmijë apo pa fëmijë, rebele apo e bindur, jemi të gjitha thellësisht të shënjuara nga qenësia në një botë e cila, ndonëse na duket sikur na përket, është helmuar qysh në rrënjë ndër mijëvjeçarë nga sundimi mashkullor. Gratë jetojnë mes kontradiktave të përhershme dhe stërmundimeve të papërballueshme. Çdo gjë, vërtet çdo gjë, është formësuar në bazë të nevojave të burrave, madje edhe të brendshmet tona, zakonet seksuale, mëmësia….

…..Cenet, mizoritë, krimet, virtytet, kënaqësia, vetë gjuha jonë skaliten përulësisht në hierarkitë e mashkullores, dënohen ose lëvdohen sipas kodesh që realisht nuk na përkasin e që na rraskapitin. E kështu bëhemi lehtësisht pre e urrejtjes së të tjerëve dhe të vetvetes. Prandaj ndihem pranë të gjitha grave dhe, shpesh, për një arsye a një tjetër, gjej veten time si tek më e mira, ashtu edhe tek më e liga ndër to.”

E pra nëse nëna juaj  më shumë se FB do të kishte lexuar të paktën Ferranten padyshim, nuk do ishte sjellë as si pronare e as si pronë.

Do të  ishte në gjendje të ushtronte një  vigjilencë te pamëshirshme për të ruajtur autonominë e saj, duke mos e shqëtësuar veten aspak në përgjimin, apo më keq dhunimin e një gruaje tjetër. Eshtë pikërisht varësia e saj ekstreme ajo që dëmton arsyetimin e saj, që i rraskapit shpirtin, duke e çuar në urrejte të vetvetes dhe të tjetrës.

Por dëmi i aktit të saj nuk mbaron këtu. Me shembullin e saj, ajo mëton ju të dyja, që pranoni dhunën si zgjidhje. Duke e pranuar me shumë gjasa mund të bëheni ushtruse edhe viktima te saj .

Vajza, lexoni më shumë, investoni tek vetja të  tregoni çfarë jeni! Nuk ka asnjë arsye në këtë botë  t’ju shtyjë drejt urrejtjes , forcës e dhunës ndaj një gruaje tjetër , aq më pak nëse  shkaku është  një burrë,  qofte ky edhe burri i jetes tuaj.