Operacioni ‘Bregdeti ynë’ për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra ka vijuar edhe sot.
Policia në Kavajë ka liruar sot 9 parcela të zëna pa leje në Golem, duke hequr 450 çadra dhe 950 shezlongë.
Uniformat blu kanë publikuar dhe pamjet e këtij aksioni, për të cilin thonë se po vojnon pa problem.
“Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ‘Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania’, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës ka 2 grupe FNSH, 2 grupe të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’, shërbime të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe të Policisë Bashkiake, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në territorin e plazhit në Golem dhe Spille.
Si rezultat i kontrolleve gjatë paradites së sotme janë kontrolluar 20 parcela dhe janë liruar 9 parcela, duke hequr 450 çadra dhe 950 shezlongë.
Dy ditë më parë janë liruar 44 parcela, duke hequr 1292 çadra dhe 2584 shezlongë.
Operacioni vijon pa probleme.”- thuhet në njoftimin e Policisë.