Vendosni fjalën kyçe....

Konferenca e përbashkët/ Kreu i SPAK-ut jep detaje për operacionin anti-drogë: Prokurorë dhe policë të arrestuar


Kanë dalë sot në një konferencë për mediat krerët e Policisë dhe Prokurorisë shqiptare, italiane si dhe të Europolit, lidhur me operacionin ndërkombëtar të koduar “Shpirti” me 38 urdhër-arreste.

Gjatë fjalës së tij, drejtuesi i SPAK-ut, Arben Kraja tha se është një skuadër e përbashkët që mbi 1 vit e gjysmë ka ushtruar aktivitet dhe ka kryer hetime të përbashkëta. Ai theksoi se sot janë ekzekutuar 28 urdhër-arreste dhe se është hetuar i gjithë zinxhiri i trafikut të drogës.

“I rëndësishëm në grumbullimin e provave dhe në arritjen e një konkluzioni konkret. Ekzekutimi i 28 masave të sigurimit sot nga SPAK.

Një moment i rëndësishëm është hetimi i gjithanshëm që është kryer. Është hetuar dhe vërtetuar i gjithë zinxhiri i trafikut të drogës. Është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publikë në këtë aktivitet duke favorizuar këtë aktivitet. Bëhet fjalë për prokurorë, punonjës policie, administratorë të pushtetit lokal. Gjithashtu janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajshtme, aktivitete tregtare me disa milionë euro vlerë. Kanë qenë 4 bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë kontributin e tyre në këtë hetim.

Kemi pasur akuza dhe për pastrim të produkteve të veprës penale. Një vit më parë ishin në një konferencë në Romë ku sqaruam fazën e parë të këtij operacioni dhe unë theksova se do t’i shkojmë deri në fund hetimit për të zbuluar këdo që është i përfshirë që të përgjigjet penalisht, përfshirë dhe zyrtarë publikë.

Jemi në situatën ku e kemi mbajtur premtimin dhe do vazhdojmë në të njëjtën rrugë.”- deklaroi Kraja.