Vendosni fjalën kyçe....

Mbushën Luginën me kanabis, arrestohen katër persona në Kavajë, procedohet kryeplaku i fshatit


Policia e Kavajës ka arrestuar katër persona këtë të premte si dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, nën akuzën për kultivim të lëndëve narkotike.

Të arrestuarit janë shtetasit: Xhevdet Lika, Tauland dhe Pëllum Lika (vëllezër) dhe Ismail Allmeta.

Këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin mbjellë fidanë të dyshuar narkotikë në luginën “Përroi i Mallës” në fshatin Golemas.

Në kërkim është Viskont Hysi si dhe është proceduar penalisht kryeplaku i fshatit Golemas, Halit Karaboja.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Lugina”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Kavajë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Kavajë, për goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor.

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, si dhe procedohet penalisht kryeplaku i fshatit Golemas.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike, si rezultat i kontrollit të territorit, bazuar në informacionet e grumbulluara gjatë hetimit njëmujor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Lugina”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Xh. L., 58 vjeç, T. L., 33 vjeç, P. L., 24 vjeç dhe I. A., 29 vjeç, banues në Kavajë; U shpall në kërkim shtetasi V. H., 28 vjeç, si dhe u procedua në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Golemas, shtetasi H. K., 66 vjeç, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin mbjellë fidanë të dyshuar narkotikë në luginën “Përroi i Mallës” në fshatin Golemas.

Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Shpërdorim detyre”.