Një operacion kundër trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave po zhvillohet këtë të premte ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe Drejtorisë së Hetimit të Antimafias Italiane, ku si rezultat janë lëshuar 28 urdhër-arreste.
Ansa.it shkruan se arrestimet po bëhen në Shqipëri, Itali, Mal të Zi dhe Spanjë. Ekzistojnë gjithashtu urdhra për konfiskimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, për një vlerë prej disa milion eurosh.
Sipas “Report Tv” mes të arrestuarve ka prokurorë, drejtues policie si dhe zyrtarë të lartë publik.
Gjatë hetimeve, të kryera nga DIA di Bari në 2018 dhe 2020 mbi trafikun e drogës nga Shqipëria në Puglia, u zbuluan gjithashtu falë deklaratave të katër bashkëpunëtorëve të drejtësisë fenomeni i korrupsionit dhe i gjithë “zinxhiri i furnizimit” të narkotikëve: nga kultivimi te prodhimi, grumbullimi, ruajtja dhe dërgimi në brigjet e Puglias në bordin e anijeve.
Më shumë detaje mbi operacionin do të jepen gjatë një konference për shtyp që do të mbahet në orën 10:30, ku do të marrin pjesë Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali Federico Cafiero De Raho; Prokurori Special i Anti-Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të Tiranës, Arben Kraja; Filippo Spiezia i Eurojust, prokurori i përkohshëm i Barit, Roberto Rossi; Giuseppe Gatti i Drejtorisë Kombëtare Anti-Mafia; drejtori i DIA-s Maurizio Vallone dhe drejtori i policisë shqiptare, Ardi Veliu.