Prokurori i Vlorës, Maksim Sota është arrestuar ditën e sotme si pjesë e një operacioni ndërshtetëror mes 28 persona të tjerë.
Ndaj tij Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest Shtëpie”.
Lidhur me arrestimin e tij prokuror Sota ka reaguar për “Top Channel” ku ka deklaruar se do pranojë të shkojë në burg dhe jo të qëndrojë në arrest shtëpie nëse ka një provë të vetme që ai ka pasur lidhje me këta persona.
“E thënë nga unë, në qoftë se ka një provë të vetme që kam ndihmuar këta persona, do pranoj të shkoj në burg me ta dhe jo në arrest shtëpie. Në qoftë se ka një çështje të vetme që unë kam pasur lidhje me këta persona, do kërkoj të shkoj në burg me ata. Të gjithë të tjerat janë fjalë dhe trillime për të cilat më dhemb vetëm gjendja që më shkaktuan në familje.
Por gazetarja e TCH, Anila Hoxha ka siguruar edhe dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët kanë thënë se drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari/ Zaimi (Lani) kishte lidhje me prokurorin Maksim Sota.
Sipas tyre Lani kishte siguruar edhe një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante vetë, por në të kishte qëndruar edhe Prokurori.
“Nga deklarimet e bashkëpunëtorëve të drejtësisë rezulton se drejtuesi i grupit kriminal shqiptar Ilirjan Duçellari/ Zaimi (Lani) kishte lidhje me prokurorin Maksim Sota, si dhe kishte siguruar një shtëpi të marrë me qira, të cilën e paguante Lani dhe në atë shtëpi kishte qëndruar edhe Prokurori Maksim Sota dhe bashkëpunëtori i drejtësisë. Një tjetër bashkëpunëtor i drejtësisë ka deklaruar se prokurori kishte dijeni se Lani ushtronte aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjykata vlerëson ndër të tjera se prokurori Maksim Sota dyshohet se ka krijuar premisa më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në radhët e përfaqësuesve që ushtrojnë ndjekjen penale në emër të shtetit, me pasojë vështirësi dhe pengesa shtesë në drejtim të parandalimit dhe luftimit të veprimtarive kriminale”, thuhet në dokument..
Ndër të tjera në dokument thuhet se pasoja të mos-ushtrimit të përgjegjësive dhe detyrave ligjore nga i hetuari Maksim Sota janë pikërisht “aktiviteti i qëndrueshëm kriminal i të hetuarit Ilirjan Duçellari si drejtues, në kuadër të një organizimi kriminal janë konkretizim i rrezikshmërisë shoqërore të mosveprimeve me dashje e në kundërshtim me ligjin të hetuarit Maksim Sota”.