Vendosni fjalën kyçe....

SHBA i dhuron BKH-së 100 mijë dollarë pajisje, Yuri Kim: Këmbëngulni në punën tuaj


SHBA do të mbështesë Byronë Kombëtare të Hetimit me 100 mijë dollarë pajisje për të gjithë hetuesit e rinj.

Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në rrjetet sociale Ambasada Amerikane, një ditë pas takimit që ka pasur ambasadorja Yuri Kim me hetuesit e BKH-së.

Ambasada thekson se Kim i përgëzoi grupin e hetuesve që po trajnohen, si dhe i nxiti ata të këmbëngulin në punën e tyre në luftën kundër korrupsionit.

“Ambasadorja Yuri Kim vizitoi SPAK, ku qeveria amerikane dhuroi dje mbi 100,000 dollarë në pajisje hetimore për BKH-në.

Ambasadorja përgëzoi grupin e hetuesve, aktualisht në trajnim, të cilët u përzgjodhën nga qindra aplikantë pasi përfunduan me sukses një proces shumë selektiv dhe rigoroz, që përfshinte testime me shkrim, verbale, dhe të aftësisë fizike; verifikime të pasurisë, si dhe kontrolle të së kaluarës dhe integritetit të tyre.

Ajo përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i nxiti ata të këmbëngulin në punën e tyre të vështirë, e cila është thelbësore për luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”- thuhet në njoftimin e ambasadës.