Vendosni fjalën kyçe....

Çuçi bën bilancin: Prishëm 130 ndërtime pa leje në bregdet e vumë 132 milionë lekë gjoba, s’do ketë më zapto e ndërto


Mbi 130 ndërtime pa leje janë shembur nga Velipoja në Ksamil që prej fillimit të operacionit të policisë ‘Bregdeti ynë’.

Sipas ministrit të Brendshëm Cuçi, gjatë fazës së parë të këtij operacioni janë vendosur rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte, janë arrestuar dhjetra persona e shumë të tjerë po ndiqen penalisht.

Ministri shkruan se aksioni nuk ka përfunduar ende pasi prej tre ditësh policia po kontrollon subjektet që po shfrytëzojnë hapësirat e plazheve në mënyrë të paligjshme.

Ai e mbyll postimin duke paralajmëruar për vijimin e operacionit për prishjen e ndërtimev e pa leje në mbarë vendin.

“Në fazën e parë të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, përgjatë gjithë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil shembi mbi 130 ndërtime pa leje, si dhe vendosi rreth 132 milionë lekë gjoba për 86 subjekte. Dhjetra persona janë arrestuar e të tjerë po ndiqen penalisht. Nuk ka mbaruar këtu gjithçka e as nuk do ta ndalim punën për çlirimin e bregdetit nga zaptuesit. Prej tre ditësh Policia e Shtetit në vijim të këtij operacion po kryen kontrolle për të evidentuar edhe ato subjekte që në mënyrë të paligjshme po shfrytëzojnë hapësirat e plazheve. Kemi detyrimin të mbrojmë këtë pasuri tonën të përbashkët dhe të çojmë para drejtësisë shkelësit e ligjit. Pas bregdetit, IKMT dhe Policia e Shtetit do të vijojnë punën për pastrimin e territorit nga ndërtimet pa leje edhe në zona të tjera të vendit. Gjej shesh të lirë, zapto e ndërto pa leje, të mos e mendojë më askush.” – shkruan Çuçi.