Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka nominuar si ambasadorin e ardhshëm të Kosovës, Jeffrey M. Hovenier. Nëse ky propozim i tij do të miratohet nga Senati, Hovenier do marrë postin në Kosovë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten për disa emërime në qeverinë amerikane, përfshirë këtu edhe për diplomatin e ri që do të dërgohet në Kosovë.
I përzgjedhuri i Bidenit, Jeffrey M. Hovenier, aktualisht shërben si zëvendës ambasador i Shteteve të Bashkuara në Ankara të Turqisë.
Lidhur me nominimin e tij, ka reaguar edhe ambasadori aktual i SHBA-ve në Kosovë, Philip S. Kosnett.
“Urime kolegut dhe mikut tim Jeff Hovenier për nominim e tij si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë.”- ka shkruar Kosnett në Twitter.
Kush është Jeffrey M.Hovenier?
Jeffrey M. Hovenier, është një anëtar karriere i Shërbimit të Lartë të Jashtëm me gradën Ministër Këshilltar, aktualisht shërben si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e SHBA-ve në Ankara, Turqi.
Ai ka shërbyer në këtë detyrë nga gushti i vitit 2018 deri në korrik 2019.
Para kësaj, ai ishte ushtronte detyrën e Shefit të Misionit dhe Ministër Këshilltar për Çështjet Politike në Ambasadën e SHBA-ve në Berlin, Gjermani. Ai gjithashtu shërbeu në misionet e SHBA-ve në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru; në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); si dhe në stafin e të Dërguarit Special të OKB-së për Statusin e Kosovës.
Detyrat e tij në Uashington përfshijnë shërbimin si Drejtor për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.
Ai ka një diplomë Master nga Universiteti Georgetoën dhe një diplomë Bachelor nga Universiteti Brigham Young. Hovenier flet gjermanisht, greqisht, kroatisht dhe spanjisht.