Vendosni fjalën kyçe....

La muzikën ndezur pas orës 22:00, gjobitet me 1 milionë lekë pronari i lokalit në Durrës


Vijojnë kontrollet e Policisë në lokale për të parë nëse po zbatohen rregullat që ndalojnë muzikën apo gjithë aktivitetin, pas orarit të përcaktuar nga qeveria.

Kështu në Durrës, një lokal në lagjen nr.13 u konstatua duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Pronari i subjektit u ndëshkua me masë administrative 1 milion lekë.

 “Shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh dhe të Komisariatit të Policisë Shijak vijojnë kontrollet për zbatimin e planit të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe monitorimin e lokaleve që vijojnë me organizimet e aktiviteteve me muzikë pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me masat anticovid të vendosura nga organet kompetente.

Në zbatim të këtyre masave, shërbimet e Policisë në Stacionin e Policisë Plazh kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, subjektin me pronar shtetasin H. D., në lagjen nr.13, Plazh, pasi ka vijuar organizimin e aktivitetit me muzikë në lokalin e tij, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.”- njofton policia.

Ndërkohë është proceduar penalisht edhe pronari i një tjetër subjekti në Shijak, për të njëjtën shkelje.

 “Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak proceduan penalisht shtetasin V. K., 40 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke vijuar aktivitetin në subjektin e tij në Maminas, jashtë orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me aktin normativ.”- bëhet me dije nga uniformat blu.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë masat anticovid dhe orarin e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit.

Kujtojmë se nga 1 korriku hynë në fuqi masat e reja lehtësuese në kuadër të pandemisë së koranavirusit. Duke nisur nga dita e enjte, ora policore është shtyrë me një orë, nga 00:00 deri në orën 06:00. Ndërkohë, orari për lejimin e muzikës nëpër lokale mbeti po i njëjti, ora 22:00.