Memli Krasniqi është zgjedhur sot si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka qenë kandidati i vetëm për këtë pozitë, dhe ka marrë besimin e shumicës së delegatëve për të udhëhequr me PDK-në për katër vitet e ardhshme. Kundër kanë votuar shtatë delegatë.
Gjatë fjalës së tij në Konventën e kësaj partie, Krasniqi falënderoi delegatët që e votuan ndërsa pranoi se do të ketë shumë sfida dhe pengesa përpara, por beson se me energjinë që kanë do t’ia dalin që t’i tejkalojnë të gjitha.
“Nuk kam fjalë që t’ua shpreh ndjenjën e falënderimit dhe përgjegjësis që kam ndaj jush ku ju sapo më mveshet me besimin që ua kërkova për të vazhduar rrugëtimin tonë të përbashkët për të shkuar në rrugën e dy liderëve tonë, Hashim Thaçi e Kadri Veseli.
Do t’ua shpërblej me punë e më përkushtim të pandalshëm. Do të kemi shumë sfida e pengesa dhe jam i sigurt që nuk do të jetë fare e lehtë, por unë e njoh vullnetin e partisë sonë, dhe duke bazuar në këtë energji të pashtershme do të ia dalim. Na prift e mbara.”- tha Krasniqi.
Pavarësisht formimit për shkenca politike, Memli Krasniqi për shumë vite është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”.
Rrugëtimin politik e ka filluar vetëm në vitin 2004.
Krasniqi ka studiuar për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Ai ka mbaruar dhe magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).
Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.