Vendosni fjalën kyçe....

Ushtaret gra në Ukrainë detyrohen të marshojnë në paradë me taka (FOTOT)


Ushtarakët janë ankuar prej kohësh për këpucët e tyre ushtarake që u vrasin këmbët kur marshojnë. Por tanimë ushtaraket gra mund të kenë më shumë arsye të ankohen, pas fotografive të tyre që u shfaqën në rrjet, ku shihen duke bërë stërvitje me taka për një paradë.

Ministria ukrainase e Mbrojtjes është vënë në qendër të kritikave pasi publikoi të premten foto të ushtareve gra duke bërë prova me këpucë me taka për një paradë që do të mbahet së shpejti.

Në fotot e publikuara, kadetet shihen me veshje ushtarake dhe këpucë të zeza me taka. Një kombinim aspak i zakontë.

Vendi po përgatitet për një marshin muajin tjetër për të shënuar 30 vjetorin e pavarësisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Kadetja Ivanna Medvid u citua nga faqja e informacionit e ministrisë së mbrojtjes “ArmiaInform” të thoshte: “Sot, për herë të parë, trajnimi zhvillohet me këpucë me taka”.

Ajo shtoi: “Është pak më e vështirë se me çizmet e ushtrisë, por ne po përpiqemi.”

Zgjedhja e këpucëve u tall dhe u kritikua në internet dhe në Parlament, dhe një pjesë e madhe e publikut ankohet se gratë ushtare ishin seksualizuar.

“Historia e një parade në taka është një turp i vërtetë.”- tha komentatori Vitali Portnikov në Facebook, duke argumentuar se disa zyrtarë ukrainas kishin një mendim ‘mesjetar’.

Një tjetër komentuese, Maria Shapranova, akuzoi ministrinë e mbrojtjes për ‘seksizëm dhe mizogjini’.

Nënkryetarja e Parlamentit, Olena Kondratiouk, u kërkoi autoriteteve ushtarake që të kërkojnë falje publike për poshtërimin e grave që “po mbrojnë pavarësinë e vendit tonë me armë në duar”.